Letërsi

Atdheu nuk lexon - Nga Roland Gjoza

Atdheu nuk lexon

ka hedhur një batanije supeve

dhe mbi gjunjë një tjetër

ka kohë që s'i paguan faturat e dritave

dëbora bie se ka kohën e vet

veç çmimet s'bien

sikur vuajnë për rekorde.

 

Atdheu nuk lexon

po tani botohen më shume libra

ta dinin shkruesit se çmimi i bojës është ulur krejt

dhe është ngritur shume ai i bojaxhiut

s'do të çuditeshin

dhe prap s'do ta linin shkrimin

se nuk pyet shpirti.

 

Atdheu nuk lexon

atdheu nuk punon

rri dhe merret me kujtime të trishtme

qep dhe shqep flamurin

s'ia del me katër flamuj të huaj

që s'qepen te flamuri i tij

kjo e ben të vuajë atdheun tim

pa gjymtyrë

trungsakat mitologjik

ia preu Europa, ia griu

ne këmbet i puthim

te këmbët i shtrihemi

si lypes thërrimesh dhe lutjesh

që të na pranojë trungsakat siç jemi.

 

Turp! Turp qe s'falet! Fishta gjallë të ishte

s'do të na bekonte me Krisht

me kryq dhe fjalë perëndish klasike!

 

Flamuri, ku është flamuri, o atdhe i semurë

ti ke armiq dhe brenda njerëzve të tu

s'ta duan flamurin

e njëjta racë me katër flamuj të huaj

ti do dru

që përulesh në pragje të huaj!

 

Atdheu nuk lexon

atdheu s'paguan dot faturat

kjo është me e dhimbshme se apokalipsi

ai ka pak qiell, re

ai ka shqiponjën në flamur

që i kanë marrë gjysmën e folesë.

 

Atdheu nuk lexon

ka hedhur një batanije supeve

dhe një tjetër mbi gjunjë

se s'ka zjarr të ngrohet

dhe para të paguaj faturat.

 

Atdheu nuk lexon…

Tagged under Roland Gjoza