Dalëngadalë - Dritero Agolli
Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia;
Në oborr u tha në fillim një dardhë,
U shterr dhe pusi i madh tek avllia,
Ku kishte koliben qeni i bardhë.
Dhe vdiqën njëri pas tjetrit
Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;
Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit
Tek bulevardit zvarris këpucët e ngrëna.
Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë.
Gëzohen që rroj me miqtë e hershëm të rrallë,
Po ka dhe të tjerë, madje edhe shumë,
Që thonë: “Ende ky gjallë”?
Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,
Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!
Kur gripi më ze, i ngrenë pak veshët
Dhe bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?
1 gusht 1998











