Sot e kam shfletue librin e vjetër - Nga Ndue Ukaj
Sot e kam shfletue librin e vjetër.
I kam prekë dhimbjet e kohëve,
Ata gurë të fortë pikëllimi
Që randojnë mbi Dardani;
Tokën ku shiu i zi bie pa pushim.
Kam pa një shall që rri heshtun
Pranë sendeve të bukura
Që ai pluhuni i zi i ka mbulue.
Kam pa portretin e Bogdanit
Me kryet kah qielli
Sikur m’thoshte:
“Mu kanë me m'zhvarrue
E qentë kanë m’i hangër eshnat e mi.
Por jo idenë teme.”
Sot e kam shfletue librin e vjetër.
E kam pa aty hapin e matun të lirisë
Si dilte nga shkurra e pikëllimit.
Dhe statujën e mirësisë
Ma të nalt se vala e trishtimit.
Kam pa portrete shkrimtarësh
Si dhimbjet në qafën e poeti të mërguem.
Kam pa edhe hijen e fjalës
Si e mposht trishtimin;
Atë shikimin mallëngjyes
Që ta këput shpirtin.
Libri i vjetër
Ka shpresa
Sa krejt rruzullimi i syve t’mi.
Nga libri "Gjithmonë diçka mungon", 2017, OM











