Letërsi

Shkrimtari nga Toronto sjell në shqip mitologun Joseph Campbell

Nga: Astrit Lulushi

"Jeta në rrugëtimin e natyrës"

Shqipëria vazhdon të prodhojë ende bunkerë, jo prej betoni, por mendje të mbyllura, me dritare fare të vogla, jo për të hyrë drita por për të vjellur vrer kundër ideve të reja, për mungesën e të cilave vetë komunizmi dështoi. Regjimi jetoi aq gjatë sa ndoshta ua ndërroi natyrën njerëzve dhe ata mbetën si pyll i zhveshur e i trishtë.

Kush jemi? Pse erdhëm këtu? Ku shkojmë? Të gjithë në rrugëtimin e gjatë për të provuar nëse jemi të denjë, ose të paktën kjo është ajo që Joseph Campbell kuptoi kur na ofroi mitet që na kanë ndjekur gjatë shekujve.

Libri “Pushteti i mitit”, një sprovë përkthimi nga shkrimtari Faruk Myrtaj, prej vitesh qytetar i Torontos, është i veçantë sepse është një intervistë mes burrave vërtet të talentuar që respektojnë njëri-tjetrin dhe flasin për atë që duan, për jetën në përgjithësi. Diku Campbell shkruan: “Unë do të marr pjesë në këtë lojë, është një mrekulli edhe pse dhemb." Nuk di se si mund ta përmbledhësh jetën më mirë se kaq. Jeta është e mrekullueshme por edhe lëndon…

Më tej Campbell vazhdon: “Hero është ai që vjen për të marrë pjesë me guxim dhe vendosmëri në jetë, në rrugën e natyrës, jo në rrugën e mllefit, zhgënjimit apo hakmarrjes personale”. Shkrimtarët e ekranit të madh e përdorin veprën e Campbellit për të përshkruar filmat sepse ky është udhëtimi që ne të gjithë pak a shumë e njohim, ose në sipërfaqe ose poshtë në nën-ndërgjegjen tonë dhe e dimë se ne jemi personazhet e rrugëtimit tonë. “Pra, Jezusi thotë, mos gjykoni që ju të mos gjykoheni, domethënë vendoseni veten në pozicionin e Parajsës përpara se të mendoni për të mirën dhe të keqen.” Me këtë frazë, Campbell përpiqet të thotë se ne duhet t'i shohim gjërat nga një nivel më i lartë.

“Pushteti i Mitit”, Shtëpia Botuese Milosao, 2017 Tiranë, është i lehtë (relativisht) për të kuptuar dhe hapur para nesh botën e mitit. Kjo e bën Joseph Campbell të jetë heroi i librit dhe përkthyesin Faruk Myrtaj zëdhënësin e tij në gjuhën shqipe.

Joseph John Campbell (1904–1987), është një teoricien amerikan i Mitologjisë, studjues i Mitologjisë dhe Religjoneve të krahasuara. Punimet e tij cekin shumë aspekte të eksperiencës njerëzore. Vepra e tij më e njohur në lëmin e Mitologjisë së krahasuar, konsiderohet “Heroi me njëmijë fytyra (The Hero with a Thousand Faces – 1949).