Letërsi

Fustanin tënd - Nga Lis Bukuroca  

fustanin tënd nuk e ngrita unë

atë e turfulloi era
pullat tua nuk i këputa unë
ato i shkëputi vrulli
buzët tua nuk i skuqa unë
atë e bëri afshi
teshat nuk t’ i hoqa unë
sytë e mi e bënë
ti nuk ishe ajo
ti nuk ishe më ti
isha unë ai që tolloviste imazhin
ti mbete vegim i pakapshëm
me fustanin e mëndafshtë mbi qilim
hedhur mbi këpucët takë larta

2
mbrëmë nuk mbylla sy
u shfaqe përsëri lozonjare
çapkëne e lazdruar
krejt shkopsitur
dhe fytyrë skuqur
të ngarenda pas
por ti përhiheshe dhe treteshe në humbëtirë
si njëpasnjëshmëri figurash
dhe mbete frymë e puhizë
dhe fanar
deri në ag

3
të pata dëshiruar kur ishe gonxhe
të dashurova kur u shtrive nën shelgun lotues
e djersitur si trëndafili në vesë
ika nga mëkati yt i madh
dhe me fajin tënd
nuk di kë do më shumë më the

4
mos dënes pëshpërita
tjetri do të jetë më zemërgjerë se unë
mos u zhgënje nga pikturat
shiko para
mos nxito
ti përqafove të parin që të tha të dua

dhe bëtë dashuri nën shelgun tonë lotues

Nga përmbledhja “Hijedritat e jetës”