Letërsi

Floreta shkon në fluturim - Nga Zija Çela

Një biçikletë, një biçikletë. Ah, sa punë bën biçikleta për urgjenten! Sidomos kur merr një lajm të gëzueshëm si Floreta, e cila kërkon të arrijë sa më parë në pikën e takimit, ku e pret Tidushi.

Vajza sapo ka dalë nga shtëpia dhe, në kthesën e parë, sheh të ëmën në trotuar. Sa herët e ka bërë pazarin e mëngjesit! Do të donte ta ndihmonte për torbat, por nuk mund të ndalojë. Është shumë, është vërtet shumë të humbasë minutën në rrethanat e saj. Për ta përshëndetur, Floreta heq njërën dorë nga timoni, duke thirrur:

- Çfarë mrekullie! Bisedojmë kur të kthehem. Gëzo për mua, mamushi im!

Dhe përpiqet ta shtojë shpejtësinë nëpër rrugët dytësore, derisa të dalë në aksin qendror, që e përshkon qytetin nga lindja në perëndim. Teksa merr kthesën pasuese, ja tek e arrin mikeshën e saj, që pedalon pa ngut.

- Tidushi, Tidushi! - e njofton gjithë ngazëllim. Dhe pastaj, krah më krah në biçikleta, zëri i brafullon: - Gëzo për mua, Violeta! Tidushi është kthyer dhe po më pret.

Mikeshës parukiere i duhet të ndalojë, ajo do të hapë sallonin e saj. Por Violeta e di kush është Tidushi, çfarë ka ndodhur më parë dhe, me gjasë, çfarë po ndodh tani. Prandaj e merr me mend edhe harenë, edhe nxitimin e Floretës.

Por nxitimi kthehet në furi, sapo me atë buzagaz Floreta hyn në aks. Lajmi ka qenë i shkurtë, një sms në telefon, që vajzës ia ka ënda ta përsërisë me vete: “Të pres te shelgu, ku takoheshim zakonisht.” Dhe nënshkrimi aq intim (I bekuar ai nënshkrim!), që sikur i hedh pas shpine të gjitha sa kanë ndodhur: “Tidushi yt.”

Më çfarë është kthyer? pyet veten Floreta. Ka dalë me makinë nga trageti i bardhë dhe unë, duke u ngritur në majë të gishtave, e kam pikasur në çast Audin e tij? Apo ka zbritur shkallët nga avioni gumëzhitës i linjës direkte? Mos është ai me shiritat blu nëpër brinjë? Sipas vajzës, kjo blu misterioze nuk i përkiste bojës kimike, avionit i mpiksej në ajër ndërsa kapërcente qiellin dhe detin, për ta sjellë Tidushin tek ajo. Sepse në çdo kthim, në port a në aeroport, Floreta do të dilte patjetër për ta pritur.

“Por me çfarëdo të ketë ardhur, tani ka rëndësi që Tidushi është përsëri imi”, murmurit nën zë.

Ajo pedalon fort dhe frymëmarrja ka nisur t’i rëndohet. Sa vajti pulsi, si rreh zemra? Kujdes, Floreta, kujdes zonjushë e qashtër, që dashurinë ta këndon gjaku dhe mishi!.. Ah, si kishte qenë ajo mbrëmje! Pa fishekzjarre, por gjithë shkëndija elektrizuese për Floretën. Dhe që në vështrimin e parë. Pastaj në të dytin, në të tretin... Ditëlindja e Violetës. Ajo kishte ftuar elitën e klientelës. Por pa harruar shoqërinë e lagjes, për shembull Floretën, më të ngushtën mike. Ndërsa rasti e kishte sjellë që Tidushi, emigranti me të cilin parukierja ishte njohur vitin e shkuar në Plazhin e Gjeneralit, ato ditë të ndodhej në Tiranë. I gjatë, i hijshëm, me sjellje të butë, sak si të kishte dalë nga ëndërrimi vajzëror i Floretës. Prandaj, në kryqëzimin e katërt të vështrimeve, kur sapo do të niste dancimi, ata ishin nisur vetiu drejt njëri-tjetrit. Dhe ai kishte thënë vetëm dy fjalë: Carpe diem! Pastaj edhe në shqip: Kape rastin!

“O Zot, sa bukur kishin kumbuar në gojën e tij!”, kujton Floreta. “Tidushi sikur po më thoshte: Kape zogun! Dhe zogu ishte ai për mua, unë për Tidushin.”

Tashmë në rrugën tatëpjetë biçikleta rrëshqet më lehtë. Dhe ajo, po aq shpejt, dëshiron të heqë nga mendja çfarë kishte ndodhur pas katërmbëdhjetë muajve. Po, Floreta është e gatshme t’i harrojë dhembjet, lotët, përpëlitjet e zemrës së plagosur mizorisht. Por vetëm befasia, befasia e ndarjes nuk i shlyhet. Një bisedë në chat me pak fjalë, fare pak fjalë: “Mbaroi, Floreta, kaq ishte. Pse të tregohem hipokrit?! Nuk kam më ndjenja dashurie për ty.” Çfarë, çfarë?! E si, e pse kështu?! pyeste veten ajo. Dhe më kot ia ngulte sytë duarve që i dridheshin, teksa ofshante: “Ku vajti zogu pra, cila e kapi matanë detit?!”

Të shkuara, të shkuara e të harruara! mendon Floreta. Ajo e zbon nga vetja edhe befasinë e ndarjes. Sepse është e gatshme jo vetëm të harrojë, por edhe të falë, të mirëkuptojë, të rifillojë, ta presë gjithë mall Tidushin e saj.

Tashmë ndodhet në korsinë e biçikletave ndanë lumit hollak, që shket si fije peri mes skarpatave të gjelbëruara. Sa vajti pulsi, si rreh zemra? As që do t’ia dijë ndopak. Floreta është bërë me flatra dhe shkon fluturim, siç shkon vida pëllumbeshë te pëllumbi vidan. Pas asaj urës që tejduket mes drurëve, është skarpata me shelgun e tyre. Aty takoheshin më parë, aty do të takohen tani. Po sikur t’i bjerë ziles? Madje ta mbajë të shtypur gishtëzën e saj, për t’i dhënë sinjalin se më në fund, më në fund, më në fund... Jo, nuk e prek gishtëzën, parapëlqen t’i shfaqet papritur e pandehur.

Por, megjithatë, ç’ishte ajo tringëllimë? Dhe pse pushoi? Çështë kjo heshtje e fikët, thellësisht e fikët, si të mos ketë frymë të gjallë në shtëpi? E sigurt se zilja e telefonit do ta zgjonte në orën e duhur, e ëma ka dalë për të psonisur. Mirëpo, kushedi prej çfarë shtyse, Floreta është ngritur pa zbardhur. Veçse në vend të vrapojë në rrugë, siç ndodh herë pas here, ka pedaluar në biçikletën statike, të cilën e mban në dhomën e saj.

“E tani pse qan?!”, i kthehet vetes duke ndaluar, sapo i prishet përfytyrimi. “Budallaçkë, ti s’ke marrë asnjë lajm nga Tidushi!”

Dhe ndërsa mundohet të fshijë lotët, niset përsëri. Por tashmë pedalon ngadalë, ngadalë dhe nuk e di ku do të shkojë.

Tiranë, Maj 2019