Letërsi

Marshi i Barabbait - Nga Fan Noli

Allalla, o rezil e katil, allalla,

Stroni udhën me hithr' e me shtok turfanda,

Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,

Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

 

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,

Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,

Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,

Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

 

O stërnip i Kainit, tepdil si bari,

Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,

Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;

O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

 

Në budrum, nëpër llom' e kufom' u-mallkofsh,

Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,

Me tam-tam e allarm' e me nëm' u-shurdhofsh,

Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!

 

O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,

Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju

Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,

Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!

 

Allalla, o rezil e katil, allalla,

Shtroni udhën me hithr' e me shtok turfanda,

Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,

Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!