Letërsi

Sikur s’jetoj në vendin tim - Nga Dritëro Agolli

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim

Po në një vend të huaj dhe të largët

Në një qytet me buba dhe me minj

Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.

 

Çuditem pse kështu më duket shpesh

Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm

Kur shiu në dimer flluska ngre në shesh

Dhe mua flluska flluska ma bën jetën.

 

Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm

Helmohemi atë çast me njëri-tjetrin

s’e di nga vjen ky helm e s’kam ç’të them

Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin.

 

Ky vend më duket do helmohet krejt

Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet

Pastaj do tundet toka në tërmet

Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshet.

 

I huaj jam në vendin tim mjerisht

Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz

Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvish

më bën të qaj si nxënës prapa derës.