Letërsi

Sokratike - Nga Luan Rama

Nga: Luan Rama

Një lëmsh i zjarrtë humbte

dhe një diell i vrarë zhytej në Egjé

kur në gjyqin e madh të Athinës, Sokratit i thanë:

- O mëkatar i mbrapshtë

ti je fajtori më i madh i qytetit,

me fjalimet e tua n’a ke prishur rininë

dhe hyjni të tjera ke dashur të sjellësh

pa lejen e Olimpit.

Zgjidh tani ti plak i mjerë:

o kupën e helmit, o mërgimin përgjithnjë nga Athina!

Kur hëna u shfaq mbi Parthenon

dhe varej sipër ndër mermerë

miqtë iu lutën të ikte sa më parë

e ta linte shtratin e Ksanthipit të përgjëruar,

le të ikte me hapat e shpresës dhe të kthimit

Kariatidet do të luteshin për të.

Por Sokrati pëlqeu më mirë botën tjetër,

zinë dhe errësirën

edhe pse gjithë jetën ishte dehur veç nga drita:

«Vdekja ime do t’i shërbejë të vërtetës,

vdekja ime do klithë që të mos ketë vdekje të tjera!»

Dhe ashtu ndodhi tregon Platoni në «Apologjinë» e tij,

një vdekje që nuk ish vdekje por frymë,

më e shenjtë se shenjtëria

ish fryma në indet e udhët e botës

frymë muranash e tempujsh, njerëzish të revoltës

më jetëdhënëse se blatimet dhe fjalët e orakujve në Delf.

Kur në ag Sokrati zbriti shkallët e Hadit

zbathur me tunikën e bardhë

toka e Athinës mori ngjyrë okër

Kariatidet e Akropolit në kor

nisën të qanin si vajtojca,

një kor për bohemin e fjalës së artë…

 ***

Sa herë shkoj në Athinë

në rrugicat e lagjes “Plaka” nuk gjej më orakuj

por veç pëshpërimat e tij dëgjoj

fjalë sokratike, zëra mijëvjeçarë

nën diej që shkojnë e nuk shuhen nga eklipset,

zëra që enden në “agorën” e “demos”-it

fjalë që këputen e shndrisin si yje

në qiellin e ardhmërisë.

Tempujt nuk ngrihen vetëm me gurë

tempujt mund ti ngresh me fjalë sokratike

një mbi një

zemër mbi zemër,

e atëherë tempuj të tillë vdekjesh të mëdha

koha dhe kataklizmat s’mund ti shuajnë!