Jetojmë në një kohë vulgare - Nga Roland Gjoza

- Nga: Roland Gjoza
jetojmë në një kohë vulgare
ç'të bëjmë?
duhet ta shtyjmë për hir të vargut
jemi pak
dhe më pak do të mbetemi
merremi ende me zogj dhe drurë
një racë me gjak të kaltër
që po bëhet ujë
s'na krijoi zoti prej balte
po prej ajri
në ditën e shtatë
dimë të adhurojmë me ekstazë
s'dimë të zhvasim
dhe një liqen me dëborë e shikojmë për bukurinë prej parajse
dhe oqeanin për perëndimet e gjata
që shuhen ngadalë mbi suvalë
dhe ende rrinë ndezur
në ca qerpik të kthyer
ku përpëliten si flutura nate
kur flasim s'na kuptojnë
ne s'përmendim shifra
po shkronja
na dhemb
kur vjeshta fletëve iu bën zbritje
gjer në fund
ata merren me mbledhje
me shumëzime
dhe kur ndodh t'ju dalë ndonjë minus
bëhen si të tërbuar
shpejt e korigjojnë
me tritol të telekomanduar
dhe të shkruash
kjo mbeti
po veç për vete
se s'të lexon njeri
librarët shikojnë ç'fituan më tepër
botuesit me kohë ta kanë hequr fillin
se një italian i famshëm shkruan për brekët
dhe për pesëdhjetë hijet e grejit një e panjohur e suksesshme
shkruaj si ato
të shkëlqesh!
po ti ke mbetur rob i fjalës
i tempullit ku falesh
prej saj s'të vjen fama
shkruaj dhe ti pesëdhjetë hijet e grejit
në një mënyrë shqiptare
pse s'e ben?
botuesit në piedestal do të ngrenë
librarët do të kapin për xhakete
dhe do të përkëdhelin me fjalët;
kur do të na shkruash librin tjetër?
jetojmë në një kohë vulgare
mezi na del
na vijnë zëra misteresh
dhe një ndjesi e hollë na drithëron
mos u jep!
dhe po të ushqeshesh me kothere
se kjo mbeti!
fisnikëron natyra kur mbushet me fletë
dhe uji ka ndërruar në lumenj
me një blu prej qielli
po këtë e sheh vetëm poeti
ai ndjek gjurmën e fluturës në erë
dhe furisë së polenit i vë dorën
gjithçka lulëzon
si për vete
fillikate natyra në mes të ndyrësive të jetës
dhe s'ta vë veshin njeri
se s'ka gjë në dorë
poeti
dhe s'ta varin po s'bëre para
dhe po s'qe i dëgjuar
në qeveri
poeti ka një kone
që s'ia del
se i leh po s'i dha të hajë
ç'i mbeti?
të heqë nga goja kafshatën e vet
dhe para një koneje ai s'ka dinjitet
e jo më para një bakalli!
jetojmë në një kohë vulgare