Romancier lind, nuk bëhesh
"Romancier lind, nuk bëhesh, ndaj edhe unë kam shkruar se e kam ndjerë” Hector Malot.
Në udhëtimet e mia, më pëlqen të bëj edhe një shtegëtim letrar, pra të eci nëpër gjurmët e autorëve në çdo vend ku ata mund të kenë lënë.
Një ndalesë e tillë ishte dhe ajo në zonën e Normandisë në Francë e pikërisht në vendlindjen e shkrimtarit Hektor Malo.
Busti i tij në qendër të qytezës, në mes katedrales dhe Senës së bukur, dukej se tërhiqte vëmendjen e çdo udhëtari.
Ne fëmijët "e vjetër", e njohim nëpërmjet filmit "Pa familje" me skenar të të njëjtit libër.
Hektor Malo, ka lindur në 20 maj 1830 në qytetin e Bouille dhe ka vdekur më 18 korrik 1907.
Duket se ditën e lindjes së tij, fati i shkroi rrugëtimin që nuk do të ishte si i gjithë të tjerëve, siç thoshin bashkëfshatarët e vet.
Atë ditë një anije e cila iu afrua bregut, duke qenë se nuk kishte pengesë, bashi i saj hyri në dritaren e dhomës ku përkundej bebe Hektor Malo. Dhe vërtetë, jeta e tij la gjurmë të forta jo vetëm në qytetin e tij.
Rritur në një familje ku nëna e tij ishte një rrëfimtare tepër e talentuar dhe babai noter ai mundi të krijonte rrugëtimin e tij. Pasi mbaroi studimet në fushën e drejtësisë në Paris, dhe punoi për një farë kohe si noter, e braktisi atë dhe iu përkushtua letërsisë, zanat i cili e kishte rrëmbyer të tërin. Shkroi rreth gjashtëdhjetë libra, të cilët jo të gjithë gjenden sot, pasi u publikuan në të shumtën e rasteve në faqet e shtypit të kohës pjesë-pjesë.
Librat me të cilat ai u vlerësua nga Akademia Franceze janë "Pa familje" dhe "Në familje".
Malo, u bë tepër i njohur me librin "Pa Familje" i cili u përkthye në rreth tetëdhjetë gjuhë, dhe u realizuan shumë filma. Aventurat e vogëlushit Remi, të cilat zhvillohen në zonën e Normandisë, kanë gjetur frymëzimin nga dashuria për vajzën e tij dhe për fëmijët. Një nga dorëshkrimet e tij «Shkuma», qëndroi rreth tetëdhjetë vite «në sirtar», derisa u shpluhuros nga familja.
Në dorëshkrim ai i shkruante mbesës së vet se ajo do ta lexonte këtë libër atëherë kur ai nuk do të ishte më pranë saj. "Shkuma", ishte një libër për gjyshërit që duhet t’ua lexonin fëmijëve dhe vërtetë ashtu ndodhi e pati shumë sukses. Malo e dashuronte natyrën dhe botanikën në veçanti, duke njohur pothuajse gjithë emrat e luleve në latinisht. Hektor Malo, ishte një rrëfimtar tepër prodhimtar si për fëmijë edhe për të rritur.
Vetë Mopasan në letërkëmbimet e tyre i shkruan se "ai e adhuron veprën e tij, e do fort", e kundërta me Flobert me të cilin nuk puqeshin për shkak të pikëpamjeve të tyre politike. Zola në një nga përshkrimet e tij, e quan lindjen e Balzakut të ri dhe pse më vonë pena e tij vjen e përsëritet. Disa nga veprat e tij janë "Dashnorët", "Dashuritë e Zhakut", "Prifti i Provincës", "Bashkëfajtoret", "Kunati" etj..
Vërtetë që Hektor Malo, u bë një autor tepër i njohur nëpër botë, por e kundërta ndodhte në jetën e tij, tepër i tërhequr dhe jo shumë i bujshëm.
"Në jetë kisha një qëllim, t’u falja kënaqësi të gjithë njerëzve që i doja dhe më donin". (Pa familje).
Shqipëroi: Mimoza KUCHLY











