Letërsi

Dje preva flokët - Nga Albana Lifschin

I dashur,

dje preva flokët,

flokët e mi të gjatë

që aq shumë i doje ti

flokët që të mbulonin

gjoksin mbrëmjeve

tek vija kokën

mbi ty.

 

I dashur,

dje preva flokët

qe të të harroja ty

I pashë si u këputën,

si ranë,

një fshesë i mblodhi

bashkë me plehrat,

tutje i hodhi...

 

Sot u zgjova

flokëprerë,

qafë zbuluar,

fytyrë e çuditshme,

në pasqyrë

shpërfytyruar,

aspak e lumtur

aspak e qeshur

vetes ngërdheshur,

pa ty dhe pa flokët

dy herë e zhveshur…

 

NYC,1999