Letërsi

Leximi i një fabule ndryshe - Nga Vangjush Ziko

Fabula është kjo:

Drenusha - Nga Vangjush Saro

Atë ditë harboi shumë Drenusha;

dhe e humbi rrugën ndër gëmusha.

Iu qep Hiena: “Rri tek unë!

Hamë pakëz darkë edhe… gjumë.”

Pak më vonë,

më sfidues, Çakalli:

“Je me mua, për kënd s’të merr malli!”

Ishte zënë ngushtë Drenush' e ngratë,

ndërsa muzgu sillte frikë dhe natë.

E pa veten nuse nëpër ëndërr:

vuuu muzika,

por nuk kishte dhëndërr…

E rilexoj këtë fabul dhe nuk e përcaktoj dot subjektin. Ka vetëm një Drenushë të frikësuar, që e ka zënë mbrëmja të humbur në një pyll, të vetmuar dhe dy personazhe: Hijena dhe Çakalli, që i propozojnë strehim dhe përkujdesje të veçantë bujare, sa më s'ka! Dhe më tej, kemi një ëndërr të bukur dhe të shqetësuar të Drenushës nuse, por pa dhëndërr.

Subjekti i fabulës është tejet minimalist. Kemi vetëm dy çaste emocionale: ftesën “bujare kavalereske” dhe “ëndrrën” e frikshme.

Fabulës i mungon edhe batuta moralizuese!

Atëhere, kemi një fabul apo, thjesht, një emocion të vargëzuar!

Kemi të bëjmë me një fabul të zakonshme, apo me një “vjershë lirike”!

Autori e ka zhveshur fabulën nga atributet e saj klasike kompozicionale ligjërimore!

Në radhë të parë nga subjekti dhe nga sentenca moralizuese me të cilën mbyllet, zakonisht, një fabul klasike.

Është një tekë krijuese apo një guxim krijues, një novacion!

Fabulisti, në historinë shumëshekullore, zakonisht, është paraqitur si një gjahtar, që gjuan veset dhe karakteret diverse me shigjetën e mprehtë të harkut të vet klasik.

Autori ynë, duke përdorur një shprehje të njohur, të figurshme të Lesingut, e ka varur në peronën e murit të kabinetit të tij krijues harkun dhe shigjetën e ka lënë në këllëfin e saj, ka lënë mënjanë edhe kamxhikun e babait të fabulës antike, Ezopit.

“O tempo, o mores!”, ka thënë latini.

Ndryshojnë kohët. Ndryshojnë edhe fabulistët. Edhe zakonet e kafshëve (personazheve të fabulës)!

Ky ndryshim ka të bëjë, mbi të gjitha, me ndërgjegjen, psikologjinë dhe filozofinë e krijimit të autorit, në radhë të parë dhe me një dukuri sa intime të karakterit: naivitetin me pasoja dramatike.

Vangjush Saro, nga natyra është i matur, serioz dhe i përkorë në krijimet e tij satirike në varg dhe në prozë. Nuk i pëlqen buja dhe tragjizmi.

Filozofia e tij është më shumë edukimi se sa ndëshkimi.

Kjo ndërgjegje krijuese i ka sugjeruar autorit edhe ndërhyrjen në këtë gjini “tabu”, në fabulën klasike.

Ndërhyrja e autorit ka të bëjë me revizionimin e subjektit, minimalizimin e tij si dhe me mënyrën e prezantimit të “personazheve”. Përshkrimi fizik i tyre shmanget. Autorit i intereson gjesti i tyre.

Në këtë fabul nuk ka personazhe klasike negative dhe pozitive.

Ka personazhe me të meta reciproke, me cene dhe me dobësi karakteri në sjellje.

Personazhet negativë nuk janë aspak harbutë, të egër e të pamëshirshëm. Ata janë bërë më “të edukuar”, më “të sjellshëm”, “më njerëzorë” dhe... më “kavalierë”, por jo të parrezikshëm: “Rri tek unë! Hamë pakëz darkë edhe… gjumë.” (Hijena); “Je me mua, për kënd s’të merr malli!” (Çakalli)...

Viktima, Drenusha, është më tepër, nga sa duhet, naive: “E pa veten nuse nëpër ëndërr”...(pas këtyre propozimeve!).

Naivitet që vjen nga besimi i tepruar dhe nga mungesa e përvojës jetësore.

Drenusha nuk e di se ç'është Hijena dhe Çakalli. Hijena dhe Çakalli i ngjajnë si kandidatë për “dhëndurë”!

Bëhet fjalë për një “naivitet”, që merr më qafë sa e sa adoleshente të shoqërisë sonë!

Objekti kryesor i autorit është zgjimi i ndërgjegjes individuale dhe asaj shoqërore, zgjimi i ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë morale. Është stigmatizimi i indiferentizmit si fenomen negativ dhe prekja e ndërgjegjes së lexuesit.

As “tallja”, “përgojosja”, as “ekzekutimi” nuk është misioni i kësaj fabule, por alarmi për këtë “dramacitet intim” të shprehur artistikisht në këtë fabul.

Nuk bëhet fjalë për harkun dhe shigjetën. Bëhet fjalë për një ndihmë morale urgjente.

Kjo, për mendimin tim, është edhe e reja në formulimin e moralit në këtë fabul. Jo nëpërmjet të një sentence të logjikshme moralizuese (ç'është mirë e ç'është e keqe), por nëpërmjet një emocioni dramatik, një ndërhyrjeje të natyrës “lirike”, përcjelljes së një emocioni “liriko – dramatik”.

Një moralizim fabulesk ndryshe.

Pra, sipas gjykimit tim, kemi një novacion kompozicional dhe ligjërimor. Një stil origjinal fabulesk.

Ky është leximi im i kësaj fabule. Fabul me një sharm të ri artistik, estetik dhe moral e fabulistit dhe satirikut të mirënjohur Vangjush Saro.

©Vangjush Ziko