Letërsi

Tym - Nga Ndue Ukaj

Është mëngjes

dhe lajmet e mira nuk vijnë si melodia e zogjve:

Na ishte njëherë pranvera, shpresa dhe ideja se liria është mungesë e robërisë.

Tani ka tym e gaz dhe pranvera i ngjan vjeshtës.

Mbi kokat tona valëvit pikëllimi

ky flamur morti që si kortezh trishtimi

bredh prej dore në dorë.

Lajmet e mira nuk u ngjajnë ëndrrave.

Shkruhen tuneleve ku mungon drita,

aty ku terri shtrin pushtetshëm fuqinë

mbi rojet e fatit -

ata njerëz që luajnë në teatrin e demokracisë.

Qyteti fle i trazuar

zgjohet i trazuar

qan e qesh i trazuar.

Kafet janë mbushur më fantazma

dhe kukurisje lajmesh që mbllaçiten keq.

Ka tym dhe një flamur pikëllimi

që është shtrirë si shall dhimbjesh

në qafën e rënduar të një populli

që kërkon të pëlcasë nga trishtimi.

E unë mora me vete një thes ëndrra

dhe dola rrugëve pa shpresa,

pashë njerëz të shndërruar në hije,

një pallat të vetmisë me rekuizita trishtuese

dhe mbishkrimin:

“Liria është mashtrim i madh.”

Rrugës shkelmova gurë të hedhur pikëllimi.

“Sa shumë marrëzi mban mbi supe qyteti im”-

tha vajza me shallin e bukur rreth qafës së saj të ëmbël

dhe një çantë të zezë trishtimi që e mbante me vete.

(Gjithmonë diçka mungon, 2017)