Letërsi

Miqtë e mi shkojnë në udhë të vet - Nga Ilirian Zhupa

Unë shkoj në udhën time, miqtë e mi në të vetat,

Pavarësisht nga qëllimet, udhët për fat s’janë të njejtat.

Petrit Ruka ecën në një shteg të ngushtë dhe këshillon plangprishësit,

Pertef Liçi ngre një shtëpi prej fjale dhe bën hesape me një fije kashte mbi llërën e tij të nxirë nga dielli.

Preç Zogaj pret armëpushimet mes betejave politike, megjithëse s’beson te armëpushimet,

Besnik Mustafaj lëshon një buzëqeshje diplomatike pas së cilës fsheh librat,

Elsa Ballauri shkon burgjeve e bën krushqi me gjakun tim,

Ali Aliu kërkon të fshehtat e fjalëve i gatshëm të paguajë çdo çmim,

Xhevahir Spahiu shkel shenjat e kuqe të vijave të bardha,

Bardhyl Londo nuk e gjen dot Itakën e vet, megjithëse është i bindur se vetëm Itaka mbetet,

Eqerem Basha nënqesh dhe përkthen heshtjet,

Ali Podrimja shtegëton me lumin e vet gjer në fundin e botës,

Milazim Krasniqi shkruan drama dhe rrit mjekrën për inat të mediokërve,

Basri Çapriqi fëshfërin si lisi në tokë të shëndetshme,

Liri Seitllari mendon pranverë e ndjen dimër në vete,

Agim Isaku zgjon me shkopin butaforik të parët,

Sabri Hamiti studion të vdekurit duke harruar të gjallët…

Të gjithë ecin në udhë të vet, duke më harruar mua.

Pikërisht se e dinë që nuk mund t’i harroj,

Pikërisht se e dinë që ende s’kam vdekur.

©Ilirian Zhupa