Letërsi

Këshilla për poetët e rinj

Nga: Sulejman Mato

Në këtë dhjetëvjeçar kanë botuar librat e tyre shumë poetë të rinj. Përgjithësisht për ta janë bërë vetëm promovime, janë shtruar kokteile apo janë thurur ditirambe nga të ftuar që nuk i përkasin botës së letërsisë.

Në disa takime të tilla kam marrë pjesë edhe unë, madje më kanë grishur të ngrihem e të flas për "vlerat e jashtëzakonshme të talentit të ri".

Xhorxh Oruell thotë: "Gjëja më e keqe që mund të themi për një vepër është mungesa e sinqeritetit."

Lëvdata është e këndshme vetëm për atë që lëvdohet, për të tjerët është e mërzitshme. Poeti i ri duhet nxitur jo me bankete dhe ditirambe, as me shkrime entuziaste nëpër gazeta, as me lajkatime boshe.

Poeti i ri duhet nxitur, natyrisht, duke e vlerësuar, por edhe duke i treguar punën e palodhur që e pret dhe cila është rruga që të çon drejt suksesit.

Jean Pierre Richard thoshte: "Arti është rikujtim i fëmijërisë". Në veprën e vet ai sqaron se dëshira për të shkruar ka lidhje me mallin apo nostalgjinë dhe se arti është një kundërvënie, ose pakënaqësi ndaj botës që na rrethon. Arti është një çlirim nga kujtimet.

Poeti spanjoll Lorka shprehej: "Poezia është atje ku ajri pothuaj kthehet në mendim".

Poeti i njohur sovjetik, Andrea Voznjesenski pohonte: "Çmimi kryesor jepet nga Perëndia. Ai është talenti."

Filozofi Spenser mendonte: "Jeta pa art humbet gjysmën e hijeshisë së vet”.

Në poezinë "Këshilla për poetët" teoricieni i klasicizmit, Nicolas Boileau-Despréaux, qysh në shekullin e 17-të shkruante:

Mos bëni edhe ju si vjershaxhiu i mjerë

Që nga dokrrat e veta i marrin trutë erë,

Dhe pas i ngjitet rrugës cilitdo që të takojë.

Pa nis e i çan kokën, një varg t'i recitojë...

Pra, një kritik të zgjidhni, me mend edhe me qokë,

që dijen dhe arsyen ka prijës edhe shokë,

dhe që me laps të sigurt të gjejë pa nguruar

të dobësisë vendin që duhet rregulluar.