Publikohet vëllimi “Poezi të Zgjedhura” i autorit Vangjush Ziko
Para pak ditësh në platformën botuese elektronike Lulu.com është publikuar një përmbledhje voluminoze e titulluar “Poezi të zgjedhura” me autor lirikun e mirënjohur korçar Vangjush Ziko. Ka qenë vetë autori i cili përmes faqes së tij personale në rrjetin social Facebook ka ndarë me miqtë dhe dashamirësit e tij këtë lajm të rëndësishëm kulturor jo vetëm për komunitetit shqiptar të Kanadasë, ku mjeshtri i vargjeve jeton prej vitesh, por edhe për të gjithë të pasionuarit pas poezisë kudo që janë.
Vangjush Ziko ka lindur në qytetin e Korçës, në vitin 1931. Pasi kreu arsimin e mesëm në qytetin e lindjes, vazhdoi studimet e larta pranë Institutit të Letërsisë “Maksim Gorki”, në Moskë. Pas kthimit në atdhe, punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Vangjush Ziko ka botuar dhe shfaqur mbi tridhjetë vepra, poezi, drama e skenare filmash, monografi dhe përkthime.
Ja si e pershkruan poetin tonë të dashur kolegu i tij në Vankuver, Vangjush Saro: “Vangjush Ziko është një emër i dashur i poezisë shqiptare, është një figurë e rëndësishme e letërsisë dhe e kulturës shqiptare. Ai është një lirik i lindur, që ka vendin e vet të rëndësishëm në poezinë shqipe dhe që ka sjellë e vazhdon të sjellë kontribut të vyer në krejt hapësirat e kulturës sonë kombëtare. Mbi të gjitha këto, mbase jo më pak e rëndësishme është që ai na ka dhënë modelin e një shkrimtari profesionist, që ka ditur ta ndërtojë e përcjellë me seriozitet, me thjeshtësi e madhështi njëherësh, jetën dhe krijimtarinë e tij”.
Vellimi “Poezi të zgjedhura” përcillet tek lexuesi me një hyrje të shkruar nga vetë autori:
“Përzgjedhja e poezive nga vetë autori është delikate dhe me përgjegjësi ndaj vetë krijimtarisë dhe lexuesit. Të seleksionosh krijimtarinë tënde, do të thotë të vihesh në pozitën e një specialisti gjakftohtë e të paanshëm ndaj vetvetes. Një paradoks i vërtetë! Arsyet janë të ndryshme. Në mes është koha kur është shkruar poezia, geni, kultura, horizonti yt krijues. Ka krijues, që mbeten njëlloj gjatë gjithë krijimtarisë së vet deri në fund. Të tjerë, që kërkojnë shtigje të reja tërë jetën. Jo për snobizëm! Nga kërshëria. Nga ndjeshmëria e madhe ndaj ndryshimeve, që pëson koha shoqërore, artistike, estetike, filozofia e jetës. Dëshira për të ecur me hapin e kohës. Ndodh që krijuesi të kalojë nga vendi ku ka lindur, në një vend, i cili kërkon ta ringjizë. Vetëm talenti nuk mund të ringjizet! Ai mund të kalojë nëpërmjet një varg ndryshimesh dhe zhvillimesh të krijimtarisë së tij. Kjo ndodh për shkak të kontaktit me periudha të reja historike dhe letrare, me horizonte të reja kulturore. Për këtë vëllim zgjodha ato krijime, që kanë rrënjën dhe lulesën e përbashkët me trungun e poezisë sime, pavarësisht se janë shkruar në kohë të ndryshme, me varg metrik apo të lirë. Janë, kryesisht, poezi të shkruara dhe të botuara në gjashtë vëllimet e njëzet viteve të fundit, në “fluturimet” e mia poetike midis Atdheut dhe Kanadasë, si edhe nëpër kopshtet e ndryshme poetike botërore”.
Libri me 238 faqe, është paraqitur në tetë pjesë dhe poezitë janë grupuar sipas një tematike, subjekti apo stili të shprehuri të mjeshtrit: Ditari i mërgimtarit, Udhëtoj për në shtëpi, Palimpseste, Pergameni i dashurisë, Apokalipsi 2020, Kapriçiot, Stafeta e stinëve dhe Planeti poet. Në fund lexuesi do të gjejë edhe një përmbledhje të çfarë është shkruar rreth veprës së Vangjush Zikos, me titullin “Të tjerët për krijimtarinë time”.
Me lejen e autorit, Flasshqip po ndan me ju disa prej poezive nga libri i sapobotuar:
NË ËNDËRR
Mora në ëndërr thirrje për në gjyq.
Njëra me aeroplan. Tjetra e thjeshtë.
Nuk është një thirrje. Janë dy.
Dy toga të zeza hijerreptë.
Solonin e thirra avokat
Nga koha e parë e lashtësisë.
Mbromë! Jam me fat dhe pa fat,
Jam me shtetësi të dyfishtë.
Buzëqeshi Soloni nën buzë
Dhe i bëri togat që të heshtin.
Hajdeni t'jua ndaj unë përgjysmë.
Njëra gjysmën lart. Tjetra poshtë mesit.
U hodh toga ardhur që nga larg.
Gjysmë e zezë. Gjysmë ngjyrë gjaku:
Le ta marrë tjetra, e pastë hak,
Nënës jepini të tijin vargun.
KANADASË
O tokë e mardhur e Veriut,
Veshur me qyrkun e ariut.
U ul ky dielli të të puthë
Vetullkodrën dhe gushën fushë.
Panja e mbarsur nëpër ngricë
Po i jep gjethes së saj sisë.
Përrenjtë rendën si të marrë
Dhe u thërrmuan në Niagarë.
Ajzbergët, që të vijnë rrotull
Ia vure diademë kokës.
O Borëbardha e Botës!
KJO ËNDËRR
Mes absurdit e jetës së përditshme
fle e zgjohem
me një mendim të çuditshëm,
me një hamendje,
me një dilemë,
dallgën e shpirtit ato ma ngrenë.
E braktisa atdheun
a e mora me vete.
I shtriva kufijtë e tij mbi detet
pa prekur kufijtë e shenjta të shteteve.
Kufijtë e shpirtit tim u zgjeruan.
Atdheu zgjohet dhe fle me mua.
Mes absurdit
dhe jetës së përditshme
Fle dhe më zgjon
kjo ëndërr e çuditshme.
ËNDRRA E LIRISË
E ndiej në mish gjilpërën,
(më qep kostum të ri)
e ndiej edhe gërshërën tënde,
histori,
më shqep e më qep
nga e para
lëkurën e argasur,
nga erërat përtharë,
nga cingërimat plasur.
Dhëndër nuk bëhem dot prapë,
as bos i pasur,
një palë xhinse mjaftojnë
dhe një këmishë e thjeshtë,
xhepat le të mungojnë,
vargjet i mbaj në zemër,
kur njerëzit më takojnë
u jap një gonxhe të gjelbër,
u them po vjen pranvera,
zhvisheni xhupin e vjetër,
me gjilpërë ferrash
qep jeta kostum tjetër,
Ndiej në mish të më dhembë
gjilpëra e historisë,
sa zor të vishesh dhëndër
me ëndrrën e lirisë.
SI MONUMENTET
Kanë harruar njerëzit
të qeshin
(qeshin vetëm foshnjat
dhe kretinët).
Qeshin pleqtë
(buzët e tyre cinike
që humbën dhëmbët
dhe burrërinë).
Qeshin edhe bosët
edhe politikanët qeshin
(fshehin lakminë e tyre
të pacipë).
Njerëzit
kanë harruar të qeshin
(kanë harruar edhe të qajnë)
si monumentet
derdhur në bronx
në furrnaltat e përgjakura
të historisë.
ANALIZË GJAKU
Në epruvetë
ma morën gjakun,
i kuq ishte
si mushti i verës
nga pjergulla e zemrës
me degëzime trupi,
në mikroskop e panë
dhe i çuditi
formula e tij enigmatike.
Gjetën aty ca hi baruti
prej bombe aeroplanësh,
ca shkronja abetaresh
dhe nota këngësh partizane,
zbuluan ca sllogane
venitur si gjethe vjeshte,
maskë, që qante dhe qeshte,
lundronte mjegulla e mërgimit
në gjak.
Doktori hoqi syzet,
më pa në sy,
Jeta ime, i thashë,
ka rrjedhur aty.
IKONA E DASHURISË
Desha të ta thosha dashurinë
vetëm me një fjalë,
fjala m'u bë farë.
E mbolla farën
dhe më mbiu një shegë,
skuqën dy zemra në një degë.
Desha ta derdhja dashurinë
në një varg,
m'u bë vargu im lastar.
Mbolla lastarin dhe ishte prill,
në çdo degë
të këndoi ty një bilbil.
E mbolla dashurinë
në timen poezi,
m' u bë ikonë
dhe shenjtorja ishe ti.
ËNDRRA E KËSAJ PRANVERE
Panja lakuriq
(panja me lebrën e dimrit
në lëkurë),
u përpëlit,
plasi gjethja e parë
nga sythat e saj jeshil,
ca lotë
(s'di prej nga u ronitën:
nga qielli i kaltër
a plagët e saj gri)
xixëllinë,
ndritën mbi gjethe,
përkëdhel dielli
ëndrrën që po lind,
ëndrrën e kësaj pranvere
me plagë
të pambyllura lebre.
PLANETI POET
Ngrysem dhe gdhihem
(çfarë dreq planeti jam),
cili diell më zgjon,
cila hënë më vë në gjumë.
Stinët e mia çelin e vyshken,
nuk kthehen më të pabesat.
Vërtitem në universin
me emra njerëzish
(jo perëndish),
gropat e zeza s'më ndahen,
si makthet dhe mëkatet.
Është shpejt, u them,
dielli im poezia
s'është shuar ende,
në krahët e saj më mban,
Ngrysem dhe gdhihem
në këtë tokësorin univers
gjersa të bëhem Mars
(i përvëluari planet).
Linku ku mund të porositet libri:











