Letërsi

Shpell’e Dragobisë - Fan Noli

Elegji për Bajram Currin

 

Kur tufani e çthuri fenë,

Kur tirani e krrusi atdhenë,

Mi një brek të Dragobisë

Priret Flamur’ i lirisë.

 

Atje nisi, atje mbaroj,

Atje krisi, atje pushoj,

Rrufe-shkab’ e Malësisë,

Në një shkëmb të Dragobisë.

 

Vendi dridhej, ay mbeti

Se s’tronditej nga tërmeti.

Dif drangoj i Dragobisë,

Trim tribun i Vegjëlisë.

 

O Bajram, bajrak i gjallë,

More nam me gjak në ballë,

Te një shpell’ e Dragobisë,

Yll i rrall’ i burrërisë.

 

Thon’ u-shtri e thon’ u vra,

Po ti s’vdiqe, or Baba,

As te shkëmb’ i Dragobisë,

As te zëmr’ e Djalërisë.

 

As je vrar’ e as po vritesh

Legjendar Ante po rritesh.

Dithiramb i Dragobisë,

Tmerr, panik i mizorisë.

 

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.

Gjer në qjell u ngrit Kështjellë

Për çlirimn’ e Shqipërisë

Katakomb’ e Dragobisë.