Letërsi

Vdekja e sovranit - Tregim nga Mehmet Elezi

Mehmet Elezi

Njeriu përballë dukej si milingonë. Bubrrec voglan, i zi. Edhe pse mjaft i gjatë.

Ai, elefant. Madhështor, riosh. I vezullonte shpina. Hunda mund të pinte ujë në qiell, duke thithur retë.

Ti më duhesh, tha voglani i zi.

Elefanti as që e përfilli. U lëshua turr kah pylli. Lisat u dridhën.

Njeriu i zi tundi kryet me gaz të idhët, hm. U ngarkua me shashka e daulle dhe iu vu pas kafshës sa një mal. Kafsha që nuk pyeste për luanët, curroi veshët. Ç’janë këto armë? Ia theri vrapit.

Njeriu i nxirë përmbrapa.  Dap e dup tupani. Bab-bum shashkat. Kujdes vetëm një gjë, i tha vetes. Që kafsha sa një mal të shkojë drejt vendit që di unë. Te vendi që dinte ai, kishte çelë një gropë. Të thellë, të thellë. Fshehur nën dushk të njomë. Nën bar të butë, erëmirë.

Dhe gjithnjë pas kafshës sa një mal. Dap e dup, bam e bum! Të bezdisshme këto zhurma bubuzhelësh, tha elefanti. Ia futi një pordhë në turinj njeriut të zi, e përplasi tej dhe vetë u bë erë. Njeriu i zi mbeti mbrapa. Por gropa që kish çelë jo. Gropa që kish çelë përgjonte përpara. Mbuluar me gjethe e me bar plot lagshtë.

Papritmas dheu u tëhumb, elefanti u shemb në fund të gropës. Toka u trand kur ra brenda. Çoi sytë. Bregu dukej lart, tepër lart. I paarritshëm, si qielli. Ai, në fundbotë. Bërtit, kokrrën e lotit sa grushti, kot.

Njeriu i nxirë kaloi përskaj. Nuk iu përgjigj vështrimit lutës të elefantit. Nuk iu përgjigj as të nesërmen. As pas pesë ditësh. Pas një jave u ndal. I uli një kovë ujë. Të pasnesërmen një kovë tjetër. Pastaj një krah degë me gjethe. Dikur edhe një dorë bar.

Kafsha sa një mal filloi me e këqyrë njeriun vrasës si perëndi. Ti po më mban gjallë. Po, tha njeriu që e fundoi në gropë. Kush ta bëri këtë gjëmë? Kaq thellë paske rënë! Të pamundurën do të bëj, që të të nxjerr.

Dhe e nxori.

Elefanti u mbush me frymë, më i lumtur se kurrë. E kish parë vdekjen me sy, tashti dinte me e çmue jetën.

E mori me feçkë njeriun, e hipi në shpinë. Ta kam borxh, më shpëtove nga vdekja. 

Njeriu i zi kish përgatitur një samar të fortë. Ia vuri në shpinë samarin e fortë. E përthekoi fort samarin e fortë. Ec!

Prej lart pikoi një e qeshur si gudulisje. Një majmun sa një kotele, i bardhë si lepurush, këqyrte prej majës së një lisi, që luhatej nëpër lirinë e qiellit.

-Hi-hi! Dhe thua jam sovran i pyllit, i tha. Ku është parë sovran me samar?

-Ik or morr, tha elefanti. Ku di ti ç’është mirënjohja. Ky më nxori nga gropa!

-Po në gropë kush të hodhi?

©Mehmet Elezi