Letërsi

Sipër në Miçigan - Nga Ernest Hemingway (E shqipëroi Flurans Ilia)

Xhim Gilmori pat ardhur në Gjirin e Hortonsit nga Kanadaja. Bleu kovaçanën nga plaku Horton. Xhimi ishte i shkurtër dhe esmer me mustaqe dhe duar të mëdhaja. Ishte nallban i mire, nuk dukej si kovaç edhe kur ishte i mbathur me përparësen mbrojtëse të farkëtarit. Jetonte sipër kovaçanës dhe hante te gjelltorja e D. J. Smithit.

Liz Kote punonte për Smithët. Zonja Smith, një grua e bëshme dhe shumë pastërtore, thoshte se Liza ishte vajza më e rregullt që i kishin zënë sytë. Liza kishte këmbë të bukura e veshur përherë me përparëse të pastër dhe Xhimi e kishte vënë re që floku i saj ishte gjithmonë i krehur me kujdes. Ai pëlqente nurin e saj sepse ishte goxha e qeshur, por asnjëherë nuk e kishte shpënë mendjen seriozisht te ajo.

Liza e donte shumë Xhimin. Pëlqente atë mënyrën se si ai largohej nga gjellëtorja dhe shpesh shkonte te dera e kuzhinës ta përcillte me shikim nga pas tatëpjetë udhës. Pëlqente mustaqet e tij. Pëlqente faktin se sa të bardhë duken ata dhëmbë kur ai buzëqesh. E pëlqen që ai nuk ngjan fare si kovaç. Pëlqen se sa shumë D. J. Smithi dhe zonja Smith e duan Xhimin. Një ditë ajo vuri re se i pëlqenin madje edhe ato leshrat e zeshkëta të krahëve dhe sa e bardhë ishte ajo lëkura e tij nën ato qimka ndërsa ai lahej te ulluku jashtë shtëpisë. Pëlqim i ëmbël që e mbathte me pah hareje.

Gjiri i Hortonsit, katundi, kishte veç pesë shtëpi në rrugën kryesore midis qytetit të Bojnit dhe Sharlëvuasë. Aty ndodhet bakalli i çikërrimave dhe zyra e postës me një ballinë të lartë kallpë ku shpesh jashtë saj rëndomtë pozon ndonjë karrocë e lidhur, ngrehina e Smithëve, shtëpia e Strodëve, ndërtesa e Dilluorthëve, kulla e Hortonsve dhe baraka e Van Husenve. Shtëpitë gjendeshin të rrethuara nga një aureolë e madhe drurësh prej vidhi dhe rruga ishte ranore. Atje tej shtrihen fushat e fshatit dhe stivat me dru nga të dyja anët e udhës. Sipër në krye të rrugës ndodhej kisha Metodiste dhe poshtë nga krahu tjetër shkolla. Kovaçhana ishte e lyer me të kuqe dhe ndodhej ballë shkollës.

Një udhë ranore gjarpëronte poshtë kodrinës tek gjiri përmes stivave. Nga porta e pasme e Smithëve mund të sodisësh përmes pemëve gjirin e liqenit. Ishte shumë bukur në pranverë dhe verë, gjiri ngjyrë blu rrezëllitës dhe gadishujt e bregoreve buzëve pas kthinave ku frynte flladi i ardhur prej Sharlëvuasë dhe Liqenit të Miçiganit. Prej portës së pasme të Smithëve Liza mund të shihte kargot e ngarkuara mbi liqen duke lundruar drejt qytetit fqinj të Bojnit. Kur i vështronte për së largu ato dukeshin sikur nuk lëviznin fare por kur shkëputej dhe shkonte të shpëlante pjatat dhe rikthehej jashtë te porta e pasme sërish kargot ishin zhdukur pas kthinave.

Tashmë Liza mendon gjithë kohën për Xhim Gilmorin. Ai as që ia varte fare. Ai fliste veç për tregëtinë e farkës te D. J. Smithët rreth Partisë Republikane dhe për Xhejms G. Bleinin. Mbrëmjeve lexonte gazetën Kamën e Toledos dhe Rrjedhat e Mëdha ndaj llambës në odën kryesore apo lëshohej jashtë të gjuante peshk mu te gjiri me një fanar dore bashkë me D. J. Smithin. Në vjeshtë ai, Smithi, dhe Çarli Uimani morën një karrocë dhe çadër, ushqime, harqe me shigjeta, çiftet dhe dy zagarë, dhe u nisën e ikën në udhë tej hapësirave me pisha përtej Vanderbiltit për të gjuajtur drerë.

Liza dhe zonja Smith gatuan katër ditë rresht për ta përpara se të niseshin. Liza donte të gatuante diçka më të veçantë për Xhimin t’ia jepte me vete por nuk mundi si përfundim sepse u ndrojt ta pyeste zonjën Smith për ndoca kokrra vezë dhe miell e për më tepër kishte frikë se mos zonja Smith e kapte me presh në dorë duke gatuar. Jo se zonja Smith do thoshte ndonjë gjë kushedi se çfarë por thjesht Liza u ndje me frikë.

Gjithë kohës kur Xhimi shkonte në gjueti drerësh Liza mendonte për të. Ishte e tmerrshme kur ai ishte i ikur. Nuk e zinte gjumi nga mendimi për të, por njëherazi zbuloi se ishte kënaqësi kërshëronjëse ta vërtisje mendjen rreth tij. Kur e lëshonte veten dhe mendonte rreth tij ndihej shkëlqyer. Një natë përpara se ata të ktheheshin nga gjuetia ajo nuk fjeti hiç, mendonte se nuk kishte fjetur vetëm e vetëm sepse ishte e gjitha e trazuar në një ëndërr rreth pagjumësisë dhe arratisë së gjumit të vërtetë. Kur vuri re karrocën teksa vinte poshtë udhës u ndje e këputur dhe disi e pamundur brenda vetes. Nuk e mbante vendi gjersa për së largu e pa Xhimin dhe me sa dukej gjithçka do të shkonte në rregull sapo të afrohej.

Karroca u ndal jashtë nën trungun e madh të një vidhi dhe zonja Smith me Lizën dolën te pragu. Të gjithë burrat kishin mjekër dhe aty ishin të shtrirë tre drerë, këmbët e tyre të holla dilnin jashtë karrocerisë së pasme. Zonja Smith e puthi D. J. dhe ai e përqafoi atë. Xhimi tha “Tung Liza” dhe buzëqeshi letshëm. Liza nuk e dinte se çfarë mund të bëhej kur Xhimi të kthehej por ishte e sigurt se do të ndodhte diçka. Asgjë nuk ndodhi. Burri ishte kthyer në shtëpi, kjo ishte e gjitha. Xhimi tërhoqi thasët prej liri nga trupi i pajetë i drerit dhe Liza po i vështronte. Njëri prej tyre ishte brirë madh. Ishte i rëndë dhe i bëshëm për ta ngritur jashtë karrocerisë.

“Ti e vrave Xhimi?” e pyeti Liza.

“Poo. A nuk është i bukur?” Xhimi e hodhi mbi shpinë ta shpinte drejt e te tyrbja.

Atë natë Çarli Uimani ndenji për darkë te Smithët. Ishte shumë vonë të kthehej në Sharlëvua. Ai u la dhe po priste në odën e pritjes për darkën që të shtrohej.

“A ka ngelur ndonjë pikë në damixhane, Xhimi?” pyeti D. J. Smithi, dhe Xhimi doli jashtë te karroja në depo për të prurë damixhanën e uiskit që burrat kishin marrë me vete në gjueti. Ishte një damixhanë katër qilloshe dhe kishte ngelur ende lëng që lëkundej lartë e poshtë përfund. Xhimi e hoqi një gurmaz të mirë në kthim e sipër. Ishte e rëndë ajo dreq damixhanë për ta rrëkëllyer një gllënjkë. Aq sa uiski i u derdh në gjoks mbi bluzë. Dy burrat buzëqeshën vesh më vesh kur Xhimi hyri brenda me damixhanën në duar. D. J. Smithi e dërgoi Lizën për gotat dhe ajo i pruri. D. J. Smithi mbushi tri dopio.

“E po, ja të paça, bre D. J.,” tha Çarli Uiman.

“Eh, ay i nëmuri brirë madhi, bre Xhimi,” tha D. J.

“Ja gëzueshëm, një dolli për të gjithë ata që nuk i vramë dot, D. J.,” tha Xhimi, dhe e ktheu me fund.

“Shijon shejtanka, i ka hije gota burrit.”

“Eh, asgjë tjetër nuk shijon më tepër këtë stinë të vitit që të të turbollojë kësisoj.”

“Hë mo, si thoni për një tjetër, djema?”

“Ja shëndeti yt D. J.”

“Le ta marrë ferra uratën, në përrua, djema.”

“Ja edhe një dolli për vitin tjetër.”

Xhimi filloi të ndihej shkëlqyeshëm. E dashuronte shijen dhe ndjesinë e uiskit. Ishte i lumtur që më në fund do të flinte në shtratin e tij të rehatshëm dhe do të shijonte gjellërat e ngrohta të mejhanes. E piu edhe njëckë. Filloi të ndihej ca çakërqejf por e mbante veten. Liza u ul në tryezë pasi shtroi tavolinën dhe hëngri me familjen. Ishte një darkë e shkëlqyer. Burrat hëngrën gjithë seriozitet. Pas darkës ata shkuan te oxhaku dhe Liza pastroi tavolinën me zonjën Smith. Mandej zoja Smith u ngjit lart dhe pak çaste më vonë Smithi shkoi sipër gjithashtu.

Xhimi dhe Çarli vazhduan të qëndronin edhe pak në odën e madhe. Liza rrinte në kuzhinë afër sobës duke bërë sikur po lexonte një libër dhe duke menduar për Xhimin. Nuk donte të shkonte ende në shtrat sepse e dinte që Xhimi do të dilte jashtë dhe donte ta shihte teksa dilte për t’ia bërë me dije rrugën e kthimit sëbashku drejt shtratit. Ajo po mendonte furishëm për të ndërsa Xhimi doli jashtë. Sytë i shkëlqenin dhe floku i tij paksa i shpupuritur.

Liza i uli sytë te libri. Xhimi erdhi nga pas karriges u ndal që ajo të ndjente frymëmarrjen e tij dhe i mbështolli krahët rreth saj. Gjoksi u ndie i bëshëm e solid dhe thithkat e cicave kullonin poshtë duarve të tij.  Liza ishte tejet e frikësuar, askush nuk e kishte prekur më parë, por i tha vetes, “Më në fund erdhi te unë. Erdhi me të vërtet.”

E mbajti veten fort sepse ishte aq e frikësuar e nuk dinte se çfarë të bënte ndërsa Xhimi e pushtoi fort pas karriges dhe e puthi.  Ishte kaq e mprehtë, sëmbonjëse, me dhimbje ajo ndjesi aq sa mendoi një çast se nuk mund ta përballonte dot. E ndjeu Xhimin mu pas karriges e nuk mundej t’i rezistonte kur diçka u zgjua brenda saj për ta bërë vetë ndjesinë të ndihej ngrohtë dhe butë. Xhimi e pushtoi sërish fort dhe ajo e dëshironte kur ai i pëshpëriti, “Eja të bëjmë një shëtitje jashtë.”

Liza mori pallton nga varësja në murin e kuzhinës dhe dolën jashtë. Xhimi e kishte krahun rreth saj e pas çdo hapi ndaleshin e ngjesheshin pas njëri-tjetrit dhe ai e puthte. Ishte një natë pa hënë dhe ata ecnin gjunjë tendosur në ranishtën e udhës përmes pemëve poshtë limanit të drunjtë dhe barakës në breg. Uji mbështillte pirgjet dhe kreshta ishte e errët tej gjirit. Ishte ftohtë por Liza digjej e gjitha nga kërshëria e të qenit me Xhimin.

U ulën përdhe te dyshemeja me dërrasa nën strehën e barakës dhe Xhimi e tërhoqi fort pas vetes. Ajo u ndje me frikë. Njëra dorë e tij shkoi e u fërkua brenda fustanit pas gjoksit dhe tjetra zuri vend mbi gjunjët e saj. Ajo u ndje akoma edhe më e frikësuar dhe nuk po dinte se gjer ku po shkonin gjërat por u përvol fort pas tij. Dhe ajo pëllëmba e dorës që po i dukej shumë e madhe mbi gjunjë lëvizi dhe u ngjit sipër kofshës përpjetë.

“Mos, Xhimi,” tha Liza. Xhimi e rrëshkiti dorën akoma më sipër.

“Nuk bën kështu, Xhim. Nuk duhet.” Por as Xhimi dhe as dora e tij e madhe nuk ia vunë veshin fjalëve të saj.

Dërrasat e dyshemesë ishin të ashpra. Xhimi e kishte mbështjellë të gjithën dhe diçka po përpiqej t’i bënte. Ajo ishte frikësuar por ia kishte ënda. E donte ta kishte por kjo e frikësonte.

“Nuk bënë kështu, Xhim. Mos se nuk është mirë kështu.”

“Duhet. Duhet ta bëj patjetër. Ti e di që duhet ta bëjmë.”

“Jo nuk kemi përse, Xhim. Nuk ka përse ta bëjmë kështu. Oh, nuk është e drejtë. Oh, është kaq i madh dhe dhemb shumë. Nuk mundesh ta bësh këtë. Oh, Xhimi. Xhim. Oh.”

Dërrasat e pishës të dyshemesë së limanit ishin të forta me gdhëçka të ftohta dhe Xhimi duke rënduar sipër saj po e lëndonte. Liza e shtyu, ndihej kaq e parehatshme dhe e mpirë. Xhimi kish rënë në gjumë. Nuk lëvizte për qamet. Ajo ia doli mbanë të çlirohej nga poshtë tij e filloi të rregullojë fundin, pallton dhe u përpoq të vërë në terezi flokët. Xhimi flinte me gojën paksa të hapur. Liza u përkul dhe e puthi në faqe. Ai vazhdonte të flinte. Ajo ia ngriti kokën dhe ia shkundi. Ai kthehu kryet nga ana tjetër dhe filloi të gërhiste.

Lizës iu mbushën sytë me lotë. Bëri dy hapa më tutje sipër buzës së limanit dhe vështroi poshtë ujin. Një mjegull vinte nga gjiri. Ndiente të ftohtë e ndiheshe mu si varfanjake dhe gjithçka dukej si e ikur tashmë. U kthye pas aty ku Xhimi ishte i shtrirë e tundi edhe njëherë për të qenë e sigurt. Po qante.

“Xhim,” tha, “Xhim. Të lutem, Xhim.”

Xhimi i trazuar u bë gdhëçkë. Liza hoqi pallton dhe e mbuloi. E mbështolli me kujdes pa u ndierë. Dhe u vu drejt kthimit sipër shkallareve përmes limanit drejt rrugicës ranore për tek shtrati i saj. Një mjegull e ftohtë po ngrihej mbi pyll prej gjirit.

(1921)