Revenge porno - Nga Dashnor Kokonozi
Para se të shkonte të flinte ndezi kompjuterin t’u hedhë një sy të fundit krijimeve që kishte publikuar në Facebook. Vjersha tre like, tregimi dy.
I doli gjumi fare. I kishte shkruar me aq pasion dhe i pëlqenin aq shumë!
Dëshpërimi që i thellë. Instinktivisht nisi të lëvizë nëpër korridoret e rrjetit, pa mundur të kuptonte suksesin e të tjerëve.
Qoftë edhe me pesë rreshta ata e kthenin krejt hullinë e rrjetit në llogarinë e tyre.
Ajo që pa i kujtoi se nuk kishte shkruajtur kurrë për të atin i cili kishte vdekur para shtatë vjetësh.
Me pak rreshta përshkoi duart e tij të fuqishme që e mbanin hopa dhe ëndrrën që kishte për ta parë fshatin të lumtur.
Mrekullia ndodhi para syve të tij. 100-200-300… like që në minutat e para.
“Të rroni e ta kujtoni” nisën të binin si breshër.
Me entuziazëm kërkoi më tej dhe vërejti se për vdekjen e babait mund të shkruante deri tre herë në vit. Kishte që shkruanin edhe më shumë, por ai do të kufizohej vetëm me tre herë.
I dërgoi një mesazh të vëllait në fshat dhe e pyeti për të ëmën.
- Ka dy vjet që ka vdekur, qe përgjigja e tij.
- Dhe nuk më ke thënë gjë?
- Nja tre herë, po.
- Ah ke të drejtë! Ishte koha e krizës në Siri.
I kërkoi t’i dërgojë një fotografi të saj dhe u ul të shkruajë statusin e tij të dytë të asaj nate.
Titulli: Mall i madh.
Kur u kthye nga cigarja që tymosi në ballkon nuk u besonte syve. 475 like dhe as që i dukej fundi!
Nuk e kishte menduar kurrë se kishte aq shumë të pagjumë që e kalonin natën në Facebook.
Sytë iu mbushën me lot.
Befas ndjeu edhe ai dhimbje të madhe për ikjen e nënës së tij!
Në një mesazh të fundit për atë natë, i kërkoi të vëllait t’i dërgojë listën e të gjithë bashkëfshatarëve që kishin vdekur dhjetë vitet e fundit.
©Dashnor Kokonozi











