Kartolinë - Nga Alfons Zeneli
Gëzuar vetëm për sot,
gotat t’i trokasim fort
të thyhen si sy mbi tryezën plot
ani se nesër nuk do shohim dot
Gëzuar unë ty e ti mua
harrimi na qoftë i harruar
të vdesim për fjalët që s’më thua
dhe Biblën që kurrë s'u mësua.
Gëzuar ty pemë dhe vetvetes
buzëqeshje e thyer kur prehesh
në verën që pi fatin dehës
të shkruar mbi hirin e heshtjes.
Gëzuar, të pijmë, të pikellojmë
mbi të zezat zeher që na thonë,
mbi mëkatet në natën e vonë
kur ngjizet prore e vërteta jonë.
Gëzuar nën dritën e heshtur
të festojmë për këngën e tretur,
me fund ta pijmë ç’ka ka mbetur
mbi varrin e vitit të vdekur.
©Alfons Zeneli











