Miti i argonautëve në një ligjërim modern të Rudolf Markut - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Toronto
Zakonisht, krijimtaria letrare nuk është kopje e background-it të jetës së vet intime. Krijuesi i vërtetë përpiqet të sjellë me veprën e vet një identitet letrar, që reflekton dhe pasqyron njohjen dhe horizontin e përftuar dhe të përvetësuar të një brezi dhe të një identikiti historik shoqëror.
Heroin lirik të Rudolf Markut e perceptoj si një kategori shoqërore konkrete, si një psikologji dhe mentalitet bashkëkohor, që lidhet me historinë dhe biografinë e njeriut që jeton në epokën e globalizmit dhe konkretisht, të njeriut që merr rrugët e botës për të provuar dhe kërkuar një jetë ndryshe.
Këtë proces historik ai e pasqyron në mënyrë sinkretike, si shkrirje të subjektit me objektin, të njeriut me botën në të cilën ai jeton aktualisht, të së kaluarës me të tashmen, të trillimit me realen. Ai e universalizon frymëzimin dhe reflekton intuitën e vet, e percepton kohën si një rrymë të vazhdueshme që rrjedh brenda tij, sikurse ndodh dhe në krijimet e lashta mitologjike.
Mitologemat janë të pranishme në poezinë e tij duke synuar krijimin e një modeli të ri mitologjik të botës.
Vëllimi i tij më i fundit i botuar, “Rrathë të brendashkruar”, na flet në mënyrë metaforike për shtresat e ndryshme tematike: bota, njeriu dhe bota e tij e trazuar shpirtërore, dashuria, malli, dëshpërimi, trishtimi. Të gjithë këta rrathë, si rrathët që formohen mbi sipërfaqen e një liqeni të qetë, vijnë dhe hapen në periferi duke ia lenë vendin asaj grope ku bie guri më i rëndë i frymëzimit të poetit: globalizmi dhe emigrimi, braktisja e vendit të vet.
Këtë përmasë botërore të shtrirjes së tematikës së tij e ka pohuar dhe kritika.
Në motivacionin e dhënies së titullit Laureat Rudolf Markut shkruhet: “Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu.”
Poezia e tij na vjen si një mbresë dhe perceptim i shtegtimit të tij në vende të ndryshme të globit, duke na përcjellë jo vetëm emocionet dhe shqetësimet e veta, por edhe personazhe të ndryshëm njerëzorë, histori dhe ngjarje intime dhe historike. Dhe të gjitha këto nëpërmjet simbolikës alegorike të lumenjve si një shtegtim pa fund:
“Lumenj që rridhni në dejet e mi,
Drini, Misisipi, Danubi, Rin,
Thamez River dhe Siena e butë,
Lumenj që rridhni,
Pa fillim, pa fund...”
Përkrah kësaj alegorie na vjen dhe metafora tjetër e lindur dhe e yshtur në brigjet e këtyre lumenjve bashkë me detet ku derdhen, legjenda e lashtë mitologjike “Argonautët”, për lundërtarët që nisen të kërkojnë bashkën e artë:
“Tani gjithnjë e më tepër tregojmë për bëmat e argonautëve,
Skicojmë harta vendesh të largëta,
Flasim për ishuj misteriozë, për vorbullat e Bermudës,
Lëkurën e kemi të rreshkur nga dielli, nga erërat dhe kripa e detit,
Argonauti i Rudolfit është emigrant, që endet nëpër botë duke kërkuar “bashkën e artë” të ekzistencës dhe të prosperitetit të vet:
“Kam parë jeten time në ujërat e lumenjve.
Me krahët e bërë ura mbi gjunjtë e mi,
Buzë ujërash jam ulur
Edhe kam qarë.”
Ai na vjen herë me identitetin e vet nacional dhe herë me atë ballkanik, pse jo dhe kozmopolit.
Veten e vet e quan një lumë që rrjedh pa pyetur për kufij shtetërorë, por që nuk harron të na e shënojë identitetin e vet si qytetar i globit: “e lindi Drini”, “Danubi e mësoi të ëndërrojë”, “Tamizi më mbyti në ujërat e veta”.
Dramatike është jeta e këtij “argonauti modern”, që mbetet në kërkim të “bashkës së artë” të jetës së vet.
Ai mbetet një lumë i trazuar që bashkohet me lumenjtë e qetë të botës.
Ai mbetet një lumë malor, që lëkund në valët e tij të trazuara fytyrën e maleve që e lindën nga gjiri i tyre. Ata i shkundin “në pragun e shtëpisë dëborën, /Ashtu siç shkundim palltot kur hyjmë nga jashtë / Në një ditë stuhie”.
Malet si në legjendat mitike bujtin në strehën e nipit apo stërnipit të tyre, jo për ngushëllim, por për mbështetje, grishje dhe qortim, duke i sjellë, përveç kujtimeve nostalgjike dhe kronikat e zeza aktuale me horror të vendit të vet.
Ai nuk mund ta harrojë biografinë e vendit të vet, biografi që i bën hije jetës së tij kudo që jeton.
Atë e vret heshtja e dikurshme emblematike e vendit të vet: “Heshtja ishte tepër e madhe për një vend kaq të vogël” dhe kaq e çuditshme, paradoksale sa “ta mbante krimin me aq lehtësi”:
Nga ana tjetër, ai nuk harron se ndodhi e papritura, ashtu siç ndodhin ngjarjet për hir të destinit historik, siç ndodh në mitet, kur bien statujat e perëndive dhe ato të diktatorëve: “Statujat e mermerta u thyen, /shkëlqimi i dikurshëm u mbulua me pluhur”.
Historia e vendit të tij është e mbushur me enigma të tilla biblike.
Ai i bën pyetje vetes:
“Ç'të bëjmë, ç'të bëjmë,
Me jetën tonë? Pons Pilati tashmë i ka larë duart,
Krishti është ngjitur në lavdinë e amshuar “.
Liria ardhi. Golgota mori fund!
Por kjo liri na doli kaq e vështirë dhe kaq e pakontrolluar nga një ndërgjegje e vrarë dhe e trullosur, që nuk i njihte kufijtë e saj të brishtë, të cilët mund të nëpërkëmbeshin aq lehtë nga stihia e pakontrolluar e lirisë së papritur.
Me “pak plaçka të mbledhura në një trastë” ai merr rrugën e mërgimit, shtegtimin ëndërrndjellës të argonautëve për të kërkuar të panjohurën të mbushur me zhgënjime pa fund: “Asnjë aeroport nuk (e) pret, asnjë stacion treni, / Tek zbre(t) në këtë orë të muzgut të vonë”.
Ai është askushi, një personazh bashkëkohës me identitet hibrid, një “argonaut modern” në kërkim të një lumturie shtegtare aventureske:
“Një ballkanas në Londër e di bukur mirë
Se është i dyshimtë për Scotland Yard-in
(Më i dyshimtë është për vendin e vet)
Sheh Pub-et e zhurmshme,qent e veshur mirë,
Dhe mendon që t’udhëtojë dhe kët’ herë pa biletë.”
…...................
“Herë pas here një pulëbardhë e gjakosur
Na thotë se (e) ka parë në vorbullat e Bermudës,
Atje ku dallgët janë më të larta se Olympi.”
….....................................
Netëve shohim të njëjtët yje që shohin dhe ata,
Derisa ndjejmë etjen e tyre në buzët tona të thara.
Uria është kudo e njënjtë. Dhe vdekja po ashtu!”
Rudolf Marku na tregon dramën e trishtuar të kalvarit të emigrantit modern.
Drama e heroit lirik të poetit është ende e lidhur me dramën e vendit të vet. Ata janë dy siamezë pa një emër të përveçëm, pa një identitet të pranuar, ose më saktë, të nëpërkëmbur. Vendi i tij nuk është hequr ende nga lista e të paemërve:
“Emri yt ende nuk është shkruar.
Vazhdon ngjitjen tënde në drejtimin e kundërt të gravitacionit të dashnisë...
vazhdon të ngjitesh në malin mistik të teologjisë së dëshpërimit...
Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,
Me plagët e masakruara të Fatit”.
Ka ndodhur gjëma e gjëmave braktisja e vendit të tij:
“Në qytetet tona së shpejti do shfaqet rëra e kuqërremtë e Saharës,
Dhe era e pluhurt do fryjë përmes dritarëve të hapura të dhomave të zbrazëta
Si një këngë monotone muzeinësh në muzg.
Dhe njerëzit ikin, ikin, dhe janë aq shumë
Sa dhe nga porti i kanalit të Lanës, tragetet do të nisen për në vende të largëta
Për të shkuar askund.
Argonauti i përmalluar e shpërfill “teologjinë e dëshpërimit”. Merr avionin për të mbërritur në vendlindjen e vet të shtrenjtë duke mos e përfillur zërin e sirenave, që i thonë se do ishte më mirë të mos e kishte marrë trenin apo avionin, që e shpie drejt zhgënjimit:
“E kupton dhe vetë se nuk ke mbërritë në Tiranë,
Dhe jo e jo në Shqipëri
Sepse Trishtimi nuk na qënka Vend,
Sepse Trishtimi nuk na qënka gjeografi.”
Argonautët e lashtë janë, jo vetëm metafora e lundërtarëve guximtarë dhe ëndërrimtarë që kërkojnë begatinë dhe prosperitetin e vendit të vet. Historia e tyre është jo vetëm romantike, por edhe një histori me fund tragjik.
Ata u kthyen në vendin e vet fitimtarë me bashkën e artë, por fati i tyre nuk ishte i lumtur. Shumë prej tyre vdiqën gjatë lundrimit të gjatë e të lodhshëm me rreziqe pa fund, por edhe ata që u kthyen nuk e gëzuan suksesin e tyre.
Argonauti i Rudolf Markut na vjen si një simbiozë e mitikes me bashkëkohoren, si perceptim real dhe filozofik, si një “un transcedental” dhe një “un historik”, njëherësh.
Fytyra e tij është ajo e njeriut historik të ditëve tona, e emigrantit, që përjeton picirin, vështirësitë pa fund duke kërkuar lumturinë e vet, duke u endur nëpër botë me dëshirën për të arritur lumturinë personale në dhe të huaj, pa e këputur kërthizën nga identiteti i tij genuin, nga rrënjët e veta.
Për të, sado i lumtur që të jesh në një vend të huaj, mbetesh përsëri një i huaj, trishtimi i vendit tënd të bën të vuash. Sa kohë që vendi yt nuk ka arritur ta shkruajë me gërmë të madhe emrin e vet, përkrah vendeve të tjera të përparuara, as emri yt i emigrantit nuk shkruhet lehtë. Ai përjeton vetminë e njeriut në shekullin tonë. E njeriut, që e ka vështirë ende ta ndiejë veten një qytetar i globit.
Ai nuk e ka fituar ende atë vetëdijë. Pozita e tij ekzistencialiste i zgjon atij ndërgjegjshmërinë individuale. Ai nuk është një “arketip” mitologjik.
Platoni e karakterizon qenien mitologjike si qenie të gjallë universale, që njëjëson fuqitë kozmike dhe shoqërore, një qenie kolektive, që nuk e veçon veten nga natyra.
Rudolf Markut, duke e veçuar personalitetin individual të heroit të vet lirik nga ndërgjegja kolektive mitike, arrin të na përshkruajë njeriun e vetmuar të shekullit tonë dhe pamundësinë e realizimit të ëndrrës së tij për lumturi personale në kushte të caktuara historike:
“Shkapërcej male, lugina, hone të frikëshme,
I bie mespërmes Mesdheut, Adriatikut, Jonit,
Por nuk arrij në Tiranë,
Dhe jo e jo në Shqipëri.
.........................................
Sepse Trishtimi nuk na qënka Vend,
Sepse Trishtimi nuk na qënka gjeografi.”
Rudolf Marku është një poet modernist i përkushtuar dhe i frymëzuar, Ai e përdor mitin si mjet të përfytyrimit të një bote të riformuar duke kërkuar të gjejë kuptimin e këtij ndryshimi.
Ky është një mit për argonautët e ditëve tona, një antimit, një mit i ri i modeluar sipas mitologjisë së re mbi botën tonë kaotike.
©Vangjush Ziko











