Letërsi

Ferri është në tokë (Dialog nate me Dante Alighierin) - Nga Ndue Ukaj

Në moshën e mesme - edhe në qoftë se mbetesh në Ferr

ke një grusht nostalgji, ca kujtime të rrudhura

që i zvarrit si këmbët e tua të lodhura.

Por fëmijët e luftës kujtimet i kanë te lodrat,

faqet e mbetura të librave plot aventura.

Kur ata hapin dritaren, shohin tym,

tym dhe trishtim. Ky kapitulli i ri jetës shkruhet

nëpër gërmadha dhe ulërimë armësh.

Dante - Ferri është në tokë sa herë s’ekziston liria

dhe pushteti i akullt i armëve shtrihet mbi fatet njerëzore.

Është mars, stinë e bukur.

Dimri është në gërhimat e fundit.

Por në Ukrainë s’ka qiell të hapur.

Shtëllungat e tymit kanë errësuar horizontet

dhe toka është mbështjellë me frikë. 

Një fëmijë në spitalin e Kievit pret të arratiset në një vend të ri

që quhet Siguri. Ky vend sot në tokë s’ekziston, Dante.  

Në tokë ka ethe e trishtim. Ka errësirë dhe damarët e urrejtjes duan të pëlcasin. 

Është errë dhe terri shpirtëror është më i mynxyrshëm se ai i ferrit.

Gjithçka është shkruar dhe thënë:

Lufta është e tmerrshme.

“Jo - ai s’mund ta bëjë këtë” – thotë e ëma e vajzës së sëmurë

dhe mbyll sytë që të shohë pak dritë,

por përpara ka gërmadha,

ku treten ëndrrat e të pafajshmëve.

Vajza qan. Ka dhimbje. Oksigjeni në spital ka rrezik të harxhohet.

Ushqimi është i kufizuar. Vetëm lajmet

dhe deklaratat e trishta politike janë të mjaftueshme. 

Askush s’i njeh dhimbjet e fëmijës që le pizhamet,

thesin me lodra dhe ikën. Ikja është e akullt si vdekja.

E lufta kontinent i skëterrshëm ku banojnë qeniet fatkeqe 

që harrojnë emrat e tyre, gremisin ëndrrat

dhe shndërrohen në frikë.

Dante, si të bashkohen lotët e fëmijëve -

e të pafajshmeve që vuajnë

dhe të formohet një lum i madh, i madh, i madh

dhe të gjithë mëkatarët të hyjnë dhe të lahen në të.

Dante, sot kam qarë me zërin e vajzës së vogël që në një spital të tokës sonë

tek merrte ilaçe kundër dhimbjeve

dëgjonte sirenat e luftës dhe thoshte: dua të arratisem.

Klithma e saj ka hyrë në dhomën time, ushtin.

Ajo ka nevojë për një prijës që e nxjerr nga Ferri.

Ti e di si dilet,

prandaj shfaqu dhe nxirri njerëzit nga skëterra e flakës së vuajtjeve.

Dante, ti e di se një ditë armët do të pushojnë,

udhëheqësit epshorë do të ulen nëpër tavolina

dhe do të nënshkruajnë një dokument paqe të cilin e grisin kur të duan.

Marrëzitë i paguajnë të pafajshmit dhe breznitë që vijnë.

Prandaj, tokën duhet ta bëjmë më të mirë,

ta pakësojmë sasinë e frikës

dhe ta rrisim oksigjenin e mirësisë.

Pastaj ta zhbëjmë fjalën luftë

dhe bashkë me të, të digjen të gjithë kufijtë e mallkuar

dhe në vend të tyre të mbillen lule dhe pemë madhështore. 

©Ndue Ukaj - Mesnatë, 1 mars 2022