Letërsi

Atdhedashuri - Nga Andi Bejtja

Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt

Ku ka fusha të gjera me vese

Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë

Unë e kam lidhur historinë pas një gomari vesh-shkurtër

që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe

Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile,

po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetë

Po unë s’mërzitem

As ofendohem,

Europës nuk i mbaj mëri.

Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin

Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;

Duke mallkuar malet e larta krenarë

Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…

Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.

E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,

Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse

Për të shpallur në paqe e pa bujë

Pavarësinë e Mendjes Time…

©Andi Bejtja