Letërsi

Çfarë mësova në luftra - Nga Yehuda Amichai

Nga: Shqipëroi Bardhyl Londo

Ja çfarë mësova në luftra:

të marshoj me ritmin e këmbëve dhe duarve që tunden

si pompat që pompojnë në një pus të boshatisur.

Të marshoj në radhë dhe të jem i vetëm në mes,

të gërmoj në jastekët, shtretërit me pupla, trupin e gruas së dashur

dhe të bërtas “Nënë”, kur ajo s’mund ta dëgjojë

dhe të bërtas “Zot” kur Zotit s’i besoj

dhe në rast se do besoja

kurrë s’do t’i tregoja Zotit për luftën

ashtu siç nuk i flitet fëmijës për tmerret e të rriturve.

Dhe diçka tjetër mësova. Mësova të ruaj një rrugicë për tërheqjen.

Në vendet e huaja të zë me qera një dhomë në hotel

afër aeroportit ose stacionit hekurudhor.

Madje edhe në sallat e martesave

mësova të shikoj derën e vogël

me fjalën “Dalje” shkruar me gërma të kuqe.

Kështu fillon një betejë

si daullet që rimojnë për vallëzim dhe mbaron

me “një tërheqje në agim”. Dashuritë e ndaluara

dhe beteja, të dyja nganjëherë kanë fund të përbashkët.

Por mbi të gjitha mësova mençurinë e maskimit,

të mos bije në sy, të jem i panjohur,

të mos dallohem nga gjithçka që më rrethon

madje as nga të dashurit e mi.

Le të mendojnë unë jam një kaçube ose një qengj,

një pemë, hija e një peme,

një dyshim, hija e një dyshimi,

një gardh i gjallë, një gur i vdekur,

një shtëpi, qoshe e një shtëpie.

Po të isha profet do të zhbëja profecinë e parashikimit

dhe do ta errësoja besimin tim me letër të zezë,

dhe do ta mbuloja magjinë me rrjeta.

Dhe kur të vijë koha ime unë do të vesh rrobat e fshehta të fundit tim,

retë e bardha, shumë qiell blu

dhe yjet pafund.