Të kthehesh në atdhe - Nga Kliton Nesturi
Të kthehesh në atdhe, pas një kohe të gjatë,
është si të kthehesh në një vend të panjohur.
Askush s’të pret krahëhapur, si dikur,
Të gjithë kujtohen për ty, veç një çast.
Të kthehesh në atdhe, aty prej nga ke ikur dikur,
do të thotë t’ia nisësh çdo gjëje nga e para,
do të thotë të jesh më indiferent
se indiferenca,
më i fortë se poshtërsia dhe më tinzar se lajkatarët.
Të kthehesh në atdhe, aty ku dikur je ndjerë Zot,
Do të thotë të takosh më pak miq dhe veten diku.
Do të thotë të jetosh si vigan i paepur
Mbi gërmadhat e së shkuarës dhe
njerëzit-gërmadha që ndesh kudo.
Të kthehesh në atdhe, për të cilin
ke kënduar dikur,
do të thotë të ndjesh veten
tek gëzon dhe qan,
do të thotë të flakësh ëndrrat dhe
të jetosh realitetin
pavarësisht se shumë gjëra
nuk të pëlqejnë.
Të kthehesh në atdhe, një kohë pas ikjes,
Sheh politikanët që si kurvat luajnë me virtytin
e pasurohen vazhdimisht si të jenë zot të gjithkujt.
Atëherë, shan e mallkon veten që dikur
Nuk pranove të bëheshe politikan.
Të kthehesh në atdhe, pas një kohe të gjatë,
Do të thotë fatin ta marrësh në duar
Dhe ta drejtosh në udhën e vërtetë, të jetës.
Nëse jo, s’të mbetet tjetër veç ta pështysh në fytyrë.
©Kliton Nesturi











