Kadare dhe roli i parathënieve - Nga Behar Gjoka

Behar Gjoka
Nga një vështrim i rastësishëm, i asaj që emërtohet jetë letrare, sidomos në Shqipëri, lehtësisht bie në sy, se këtyre kohëve, ka rifituar një status të veçantë, si një qasje kinse shkencore, lëvrimi i parathënieve. Gati çdo libër, me poezi dhe prozë, nga botimet e realizuara, gjatë kësaj kohe, paraqitet i shoqëruar me tekst parathënie. Nëse dikur, në vitet ’30 të shekullit 20, apo në sistemin monist, ishte bërë si rregull, që parathënie shkruhej për librat e përkthyer, ose për librat e parë, si një akt përkujdesje për “talentet e reja” (mjafton të sjellim në mend “introduktat” e Fan Nolit për të pranuar dhe perceptuar rolin e qasjeve me parathënie), në këtë periudhë, secili libër, me vlerë apo pa vlerë, si rregull i pashpallur, tashmë botohet me parathënie.
Zakonisht, për të realizuar parathënie, parapëlqehen studiues apo shkrimtarë me emër, ose që janë pjesë e burokracisë letrare dhe kulturore. Ngjarje është kur arrihet që një libër të ketë një parathënie nga shkrimtarë në zë, aq më tepër nga Ismail Kadare. Gjithnjë e më shpesh në jetën letrare të Tiranës, sa vjen prezantohet edhe Kadare, si njëri ndër autorët që po e lëvron gjerësisht parathënien. Nëse ndokush, lexues apo adhurues, mendon se fama e shkrimtarit, i garanton nivelin edhe në trajtimet e dukurive letrare, është në të drejtën e tij.
Si lexues dhe njohës i veprës së Kadaresë, tekstet letrare, shënojnë nivelin më të lartë dhe të vetëmjaftueshëm të përfaqësimit si shkrimtari më i njohur, më i lexuar, më i përkthyer dhe me më shumë çmime letrare të fituar, në historinë e letërsisë shqipe. Firma e Kadaresë, shton pikë në rrafshin e reklamës, mbase edhe në intepretim, por teksti mbetet jo pak në hije. Ka më shumë gjasa, që për shkak të parathënies, të mos lexohet libri për të cilin shkruhet.
Roland Barthes në librin Aventura Semiologjike sugjeron: “Të lexosh do të thotë ta dëshirosh veprën, do të thotë të duash të jesh vepra, do të thotë ta refuzosh, ta dyfishosh veprën jashtë çdo të foluri tjetër pos të folurit të vetë veprës (...) Të kalosh nga leximi në kritikë do të thotë ta ndryshosh dëshirën, do të thotë ta dëshirosh jo më veprën, por ligjërimin e vet (...) Sa shkrimtarë kanë shkruar vetëm se kanë lexuar. Sa kritikë kanë lexuar vetëm për të shkruar” (2008: 208).
Dija teorike e zgjeron frymëmarrjen e marrëdhënies së letërsisë me autorin, lexuesin dhe shkencën letrare, ku parathënia është fillimi, por jo përmbyllja e procesit të leximit, verifikimit dhe interpretimit të vlerave letrare.
Stilemat parathënëse, para dhe pas viteve ’90, të Kadaresë, vijnë me dy forma:
A- Parathënie të Kadaresë, të bëra kohë pas kohe, me fillesa para viteve ’90, por që kanë patur intensitet edhe në këtë kohë. Nga sa ofrohet në librat e botuar, Kadare ka shkruar parathënie për Ervin Hatibin, Agron Tufën, Rexhep Hotin etj., autorë të një breznie të re, duke patur gjithë të drejtën e vet, si një akt komunikimi brendaletrar. Megjithatë, rrethanat e sollën që Kadare të ketë parathënie për Zef Zorbën, Drita Çomon, Martin Camajn, në 2010, me rastin e botimit të kolanës letrare me dhjetë vëllime. Po ashtu, së fundit prej Kadaresë kemi parathënie për Frederik Rreshpen.
Ka gjithë të drejtën që të shkruajë parathënie, madje sa të ketë mundësi, por kahja e prezantimit të autorëve të tjerë me parathënie, krijon një situatë, që duam apo nuk duam, kërkon debat. Në botimin e Camajt, janë me dhjetra parathënie që më tepër përvijojnë natyrën e veprës letrare se analizojnë hapësirën tekstologjike në të gjithë treguesit e vet, duke e shndërruar rikthimin e Camajt, gati në një akt promovues të parathënieve dhe lëvruesve të tyre. Ana tjetër, që këtyre kohëve, edhe vepra e Kadaresë, më tepër paraqitet në shqyrtime të kësaj stileme paraqitje, e bën pothuajse të pashmangshëm, vështrimin e kësaj dukurie, në thelbin e vetë ekzistencial.
B- Parathënie të të tjerëve për librat e Kadaresë, që niset me tekstet parathënëse të filologut M. Mandala, megjithëse nuk është në fushën e vet. Për të vijuar M. Marku, Monika Stafa Shoshori e shumë të tjerë. Ka shumë mundësi, që të jetë tepër e vështirë që të gjesh mësimdhënës të Tiranës, që të mos ketë parathënie për Kadarenë, duke shënuar një dukuri atipike të shqyrtimit të dukurisë letrare të shkrimtarit. Jemi në rastin, që i ka të shqiptuara të dyja anët e medaljes, edhe tekste parathëniesh të Kadaresë, edhe parathënie të autorëve të tjerë, për veprën e Kadaresë.
Kjo situatë stilematike, e analizës së letërsisë më anë të parathënieve, ka endur një rreth vicioz, që nga njëra anë përjashton garën, por edhe lirshmërinë e komunikimit me letërsinë, me veprën e Kadaresë, nga ana tjetër, më përtej këtij rrethaku të dyfishtë. Ata që kanë shkruar parathënie për librat e Kadaresë, nën zë dhe publikisht, janë vetëgraduar si shqyrtuesit më të hollë të letrares, kur zhanri që kanë lëvruar nuk është se të jep dorë për të hedhur kurorën e “Zeusave” të verifikimit të ligjërimit letrar.
Mëtimi që parathëniet të jenë piketa orientuese për lexuesin, madje edhe bazamenti nga do të lëvizë letërsia dhe verifikimi i saj, druaj se nuk e bën të mundur kjo sipërmarrje, vetëm me optikën e parathënieve. Në mes tyre, pra të vështrimit me parathënie të letërsisë, janë edhe sehirxhinjtë, që zakonisht rrinë në mes, të cilët merren me interpretimin e intepretimeve të “paintepretuara”, simbas akademikëve të lodhur, kur dihet se letërsia lexohet dhe zbulohet individualisht.
Letërsia është libër i hapur, që nuk mundet të zbërthehet me lexime të mbyllura, sidomos të parathënieve që kanë në princip afirmimin dhe tërheqjen e vëmendjes së lexuesit. Të kuptohemi, nuk ka lidhje me goditjen e parathënies si e tillë, po me një përpjekje, të pranishme në botimet tona, për ta parë si të vetmjaftueshme, në qasjen ndaj letërsisë.
Punimet e veta, mbi folklorin, De Radën dhe letërsinë bashkëkohore, Arshi Pipa, kritik dhe studiues nga më të thekurit, në historinë e letrave shqipe, i shoqëron me parathënie, të shkurtra dhe lakonike, por përgjigjen mbi këto dukuri e jep në shtjellimin e gjatë studimor, të secilës dukuri që ka marrë në analizë.
E gjejmë me vend që të tërheqim vëmendjen, që parathëniet, janë qasje pozitiviste dhe afirmuese, pra kanë një rol paksa më të ngushtuar në komunikim me lexuesin. Kjo rrethanë, e pamundshme që të jetë e vetmja, që trajtimi i letërsisë të niset e të bitiset vetëm me parathënie, është si të matesh me hijen e mëngjesit, që të lumturon me pamjen gjigande.
Prandaj, nuk ka asnjë mundësi, që parathëniet, pavarësisht nivelit dhe famës, që ka lëvruesi i tyre, të zëvëndësojnë interpretimet e dukurive letrare, të një epoke, apo edhe të autorëve të përveçëm të saj. Nëse do të ngjasë që parathëniet të jenë përfaqësimi i nivelit shkencor, atëherë studiuesit ose kërkuesit të emërtohen parathënës dhe punët e letrave shqipe, vetiu e gjejnë drejtimin e duhur, në mos e kanë gjetur tashmë…
©Behar Gjoka











