Letërsi

Stinët e shpirtit - Cikël poetik nga Vangjush Ziko

EKZISTENCË

Jam frymë delikate,

fllad që ledhatoj

kurorët e pemëve

dhe flokët e kreshpëruara

të njerëzve njësoj.

Fluger,

lodër në dorë të stuhive jam.

Kam sy që shohin botën

pa mua.

Zemër indiferente

(orë me bateri

varur në mur),

kur jashtë ulërin

një urgjencë.

Muzë e shurdhuar...

Më thuaj,

a është kjo ekzistencë?!...

 

STINËT E SHPIRTIT

Në fytyrë,

sigurisht,

një rrudhë e re

dhe thinjët

shtohen çdo ditë.

Kosit mjekrën e ashpër

çdo mëngjes

para pasqyrës

tok me kujtimet e thinjura.

Nuk çuditem aspak

me dimrin tim

dhe hendekun e rrudhave

në fytyrë.

Çelin stinët 

me gjembin e plagës

dhe vesën e kujtimeve

mbi rrokjet e vargut.

Ndërrohen stinët e shpirtit

(dhe poezisë)

si profecitë mistike.

 

LUTJA E SOMNAMBULIT

Erdhi nata!

Shuaj me radhë

dhomën e ngrënies,

kuzhinën,

të fundit tualetin...

Ekrani i shuar i televizorit

vazhdon të shfaqë me zë e me fytyrë

kronikat e ditës

në trurin tim të lodhur...

Reklama,

fjalime,

debate,

drogë,

sharje dhe vrasje,

krismat e luftës

më plasin në tru si vetëtimat,

viktima dhe ulërima

mbi Dhe!...

O Zot,

jam njeri

apo somnambul?!...

Më kthe në djep

dhe rigatuamë robot

për këtë Botë të Re!

 

DUKE PRITUR SEMAFORIN JESHIL

Ec rrugës me këmishë të larë,

të hekurosur,

me parfum jete parfumuar.

Kurorët e pemëve ma ngjyejnë

me ngjyrën e pranverës.

Kalimtarët ma shkelin hijen,

Zogjtë ma ndyjnë

me glasat e tyre,

Semafori indiferent mat

pulsin e trafikut të çmendur

të rrugës dhe turmës

(jo të zemrës sime).

Pasionet dhe mendimet e mia

thinjen duke pritur

semaforin jeshil të jetës.

 

ZAGUSHI ËNDRRASH

Na erdhi papritur kjo zagushi,

kjo vapë!

Më të hidhura na u bënë

kafeja e mëngjesit

dhe kronikat e zeza.

Indiferentë hedhim

maskat e kaltra trotuareve

si lëvere të pavlera,

Ç'maska të zeza të vëmë

për tymin kërcënues

të luftës së pabesë!?

Me mushkëritë e vyshkura

të drurëve

merr frymë qyteti.

Me flegrat e ëndrrave naive

nuhatim

zagushinë e së ardhmes sonë.

 

PËLLUMBAT

Pëllumbat

janë vargjet e mia,

me krahët e tyre fluturoj

(jo nga arka e noes,

as nga dritarja e shtëpisë)

nga parmaku i frymëzimit

me degën e blertë të poezisë në sqep

për te ju.

 

LUFTRAT E MIA

Një jetë,

ditë e natë kam bërë luftë

pleqërinë ta shtyja,

mos më qasej e mira,

E kuptova më në fund.

Për qasjen e saj

paskam bërë

tërë luftrat e mia!

 

VETËM NJË MERIDIAN

Paskam lindur kështu

me dy barkushet e zemrës

dhe dy pasaportat në gjoks,

njëra e kuqe, tjetra blu.

Jam mërgimtar nga vatra zbuar,

kurrëmërguar,

dielli i mallit

s'perëndon në horizont.

Kujtimet nuk vyshken,

ëndrrat aguridhe s'piqen dot.

Me lëkurë ariu polar veshur,

putra e rreshkur akull pikon,

i bie harpës së meridianëve,

vetëm njëri dridhet,

vetëm një meridian i botës

për mua trishton.

 

DUELET

Duelet klasike u harruan,

nuk ndeshen më as kalorësit,

as titanët me perënditë.

Në heshtje ndeshen

njerëzit, partitë, shtetet.

Koha sekondante indiferente

numëron vitet hapa,

respekton distancat,

armët kontrollon

(janë mbushur përplot

me mllef apo jo).

Nekrologjitë nuk shpallen

(janë më shumë se dritaret).

Mëritë bien dhe ngrihen prapë.

Jeta plagoset

dhe i mbështjell

me cipën e zemrës plagët.

 

PROFECITË

Rrjedh shpirti

në përroin tim të mishtë

me deje dhe leshterikë nervash,

rrjedhin ditët,

sperma e tyre

mbars ditët që vijnë,

çastet përplasen

pas cipës së qelqtë të trurit

si peshqit  në akuarium,

kap grepi i kujtesesës

një kujtim të shtrenjtë

që jep shpirt,

mumjen e tij e balsamos

tok me profecitë

naive të jetës

në piramidën

e vargjeve të mi.

 

©Vangjush Ziko