Letërsi

“Un Mort” i Arben Kallamatës: Letërsia, historia, thrilleri, befasia e koloriti, të gjitha në një libër - Nga Ylli Pango

Ylli Pango

Pak intrigë: E gjitha zë fill me një ngasje të vogël. Dikush fillon të tregojë një ngjarje jo më pak intriguese se ajo e krizës së raketave të Kubës. Të asaj që desh u kthye në luftë botërore të mos qe Kenedi e pragu që i vuri ai Hrushovit. Por kësaj rradhe ngjarja zhvillohet në Shqipëri.

Shpalosen përpara syve personazhe e figura historike që nga ato fiction e deri në historike si Smaili, Meklini, Xhulian Emeri, Hrushovi, Mao, Ten Hsiao Pini, kinezët e Radio Tiranës, ky zë që aso kohe i çante daullen e veshit botës, si altoparlant i Kinës së madhe, teknikët e saj të vegjël fshehur koridoreve (një minitemë tjetër e vogël e bukur kjo për aparatin e propagandës së Partisë aso kohe), jugosllavët; vetë Enveri, kësaj radhe zmadhuar deri në nishane, nën një lupë të hollë, si pokerist diabolic politik, “Un Mort”-i, personazhi i munguar a i gllabëruar gjithnjë nga Enveri në katërshen e pokerit të rradhës, serbët, Mehmeti, Beqiri, Dulet e Sillot, tufa e bashkëpunëtorëve të tij, ata që u hëngrën e ata me fat që ndrruan jetë në shtrat shtëpie; grupet marksiste leniniste që na mbushnin me “krenari”, aso kohe, tek siç na thonin në tribuna kongresesh, na shihnin si fanar ndriçues i botës, spiunazhi rrjedhur soje.

Të gjitha këto mbështjellë me mjeshtëri pene, në një lëvozhgë thrilleri e kurioziteti historik. Tabllo aq reale e njëherazi groteske, dhënë edhe me një origjinalitet gjinish, miksazh i letërsisë me romanin historik, fiction e realitet, thriller politik, spiunazh, e suspans.

Ja dhe vende të mëdha e ngjarje të mëdha të asaj kohe, Kanadaja e largët, ku Përroi i Kastorit bëhet vendburim për agjentura të mëdha (rrjete spiunësh). Kina e madhe, skena nga jeta kineze e fund-Maos e ajo e rilindjes së Tenit

Lëvizja botërore marksiste ndërkombëtare e paratë e mjera të shqiptareve për ta. Grotesku i saj e imitimi nga Enveri i Maos, Stalinit si udhëheqës i lëvizjes marksiste-leniniste ndërkombëtare (asaj të “vërtetës”) e i megallomanisë që na kujton dikë sot…e rolin në botë të dhisë së zgjebur pa bisht fare.

Një libër që ka aq shumë brenda, në aq pak faqe. Pak mbi 200. I drejtpërdrejtë e me personazhe që nuk i kemi harruar por që na rivinë në një dritë tjetër origjinale. Beni na “çmall” me ca e ca, që vërtet nuk na merr malli, por që duhet t’i rikujtojmë se na vinë e rivinë në jetët tona pa rreshtur në forma të tjera.

Na i kthen në film me ngjyra, kur i shohim ashtu të “kallangjosur” tek ai i ul në tryezë të pokerit politik e atij real, ndërfutur aq artistikisht. Shohim Enverin, Nexhmijen, Sillon, “Sulot”, profesorë e të tjerë personazhe. Por jo siç na i kanë dhënë aq zbehtë ca e ca, që vetëm shkrimtarë nuk janë, në libra buruar nga, a të ngjashëm me Dokumenta partie të PPSH. Libra nga ku këta lugeter personazhe kanë dalë lakuriq e ku sërish janë rifutur a më mirë rikallur.   

Në të kundërt, Ben Kallamata i merr e i zbërthen në gjithë groteskun e tyre si figura historike e diabolike, qesharake e njëherazi megallomane. Na i bën të gjallë, na i jep me detaje të pasura e për t’i parë siç kanë qenë, edhe në banalitetin e së përditshmes, e siç edhe janë pasardhës të tyre sot. Dardha nën dardhë bie.

Meqë ra fjala nuk është e lehtë të ndërthurësh historiken me fiction e të bësh një libër si “Un Mort” i Arben Kallamatës. Libër që të të bëjë të kthehesh sikur i jeton përsëri, në ato kohra. Është një libër që ka brenda veç këtyre edhe thrillerin politik, edhe figurat historike, ato tonat e ato të superfuqive (udhëheqjen kineze). Edhe ca liderë europianë, po edhe xhuxhmaxhuxhërinë e udhëheqjes tone, tentuar për grandomani, që të kujton dikë sot e që të bën të mendosh me trishtim se historia përsëritet e se në vend që të bëhemi, tentojmë veç të fryhemi si Bretkosa e La Fontaine që desh të bëhej sa një ka.                                   

Një Enver që e dëshiron një krizë raketash të ngjashme me atë të Kubës. Që aq dëshiron t’ia sjellë Kina këtu, sa desh digjet. Që të ndjehet i madh. Pa marrë parasysh se ç’mund t’i bëjë kjo këtij populli që dele se dele mbeti (more sikur na kujton dikë si personazh e si ngjarje kjo, dikë të kohëve të reja). Janë ca raketa që edhe kur prapsen për andej nga janë nisur, për Kinë, sërish i vringëllojnë në tru të njerëzisë që të ushqejnë lajmin e rremë. Për t’i kallur datën botës. Një bote që ndonëse me mend në kokë, edhe nga e keqja e se me të drejtë do t’i paraprijë çdo çmendurie, rreket të nxjerrë nga lumi një gur të hedhur në lumë nga një nëmos budalla, megalloman i rrezikshëm e shokngrënës i pashoq, një pokerist aventurier e gjakatar që luan gjithnjë me një vend bosh në tryezën katërshe të pokerit. Alegori a metaforë aq e gjetur, e asgjësimit të njëpasnjëshëm të miqve e shokëve të luftës e punës nga një diktator sa primitiv aq edhe barbar.

Po e gjitha nuk do të të mbante aq peshë, po mos të “ndërkallej” nga Kallamata, edhe me mjeshtërinë e një autori romanesh policeskë (veç të tjerash) të një filli spiunazhi aq bukur e befasishëm thurur e që rrekemi e më kot presim ta kapim. Nuk është kollaj se është një fill që “ze fill” që nga malet e Shqipërisë në ato kohëra lufte, e duke u hedhur si filispanjë për të zënë “peshkun e madh” të bllofit deri në Kanadanë e largët, në qytetin vogël, Përroi i Kastorit, ku marksiste-leninistja e Hardial Bainsit na del edhe gjysëm shqiptare, e rekrutuar agjente, sigurisht në shërbim të “imperializmit” ndërkombetar.

Mua veç të tjerash ky libër i arrirë i Arben Kallamatës, më krren edhe një mall të veçantë. Kur mora ta këndoj, pata ngasje edhe për këtë. Për një arësye të së shkuarës. Isha ende në atë moshën e fëminisë së hershme në “Zog të Zi”. Atëhere kur me Maks Blushin (Koninin) “hanim” libra e ëndërronim t’i binim botës anekënd. Çdo gjë që na binte në dorë ia kalonim njeri tjetrit e kështu do të kish ndodhur edhe me “Bijtë e Shqipes” të Julian Amery-it, një botim i përkthyer në shqip dikur në vitet e para të pasluftës, me ca fletë letre të keqe, tip dispense, gjetur diku harruar, në sirtarin e raftit të tim eti. Kisha nisur ta “ngjëroj” në qejf tem, e duke menduar si do e priste shoku im i ngushtë Maksi, kur t’ja jepja.

Kur ma pikas im atë e ma rrëmben nga dora. E ndonëse e njihte mirë etjen time për libra, më kthehet: “Këtë libër më mirë mos e lexo…Nuk bën për ty…” Nuk merrja vesh aso kohe nga ç’thuhej e bëhej në “politikëra”, e u habita. Në të vërtetë brenda librit na ishte edhe Bazi i Canes (Abaz Kupi), cilësuar si burrë malesh nga autori i librit e tradhëtar nga partia (më vonë e mora vesh). Ishin edhe udhëtimet e anglezit Julian Amery nëpër malet e Shqipërisë si oficer ndërlidhës i Foreign Office anglez me lëvizjen e partizanëve të Hoxhës bukëshkalë, që më vonë e bëri hasha gjithë ndihmën e aleatëve. Aty ishte edhe vlerësimi i Amery-t për mbretin Zog të cilin më pas e bëri mik të ngushtë, si “burri më i zgjuar që kish njohur”. Ishte po ky Amery personalitet, më vonë anëtar i Partisë Konservatore Angleze, Sekretar shteti, minister në qeveri konservatore angleze, shkrimtar… Kaluan vite. Libri humbi diku nëpër sirtare librash të vjetër dhe u desh Ben Kallamata të më ngjallë kujtime të së shkuarës e të kisha një shkak a një nxitje më shumë të lexoj librin e tij të fundit “Un Mort”. Për të rinjohur a njohur më mirë Julian Amery, këtë mik të madh të shqiptarëve, personazh historik, ndërfutur edhe ky në librin e Benit, në një rol simpatik të skalitur, mbresëlënës.

Libri ka kaq shumë ngjarje e është aq i ngjeshur (mos u trembni, është e gjitha lëndë e jo thjesht fjalë, do të thoshte imzot Noli), saqë nuk lëshohet dot nga dora. Po unë nuk marr përsipër të rikallzoj se nuk do të mundja t’i rendisja aq bukur e të jua risillja me aq saktësi ndër mendje gjithë shokët marksistë lenininistë sharlatanë. Brezi ynë i mban mend mire. Që nga brazilianin me flokë të bardhë të valëvitur Zhoao Amazona, të currufjepsurin Fosko Dinuçi fqinjin tonë pe Italie, Hardial Bainsin e Kanadasë dy metra i gjatë, që zinte podiumet e kongreseve me Enver Hoxhën e sa e sa sharlatanë gjoja marksistë-leninistë ane kënd botës, që i ushqente qyl me paratë e shqiptarëve të varfër megalomania e Enver Hoxhës. Po sidomos Hardiali i Kanadasë, vendit ku dhe u thur intriga finale për “shpëtimin e botës” e për të zbuluar bllofin e Enver Hoxhës, e fandaksinë e Maos për të na bërë një pisqollë rajonale kundër imperializmit. Pisqollë që Ten Hsiao Pini e kish kthyer…Një galeri e tërë figurash të mëdha e të vogla politike, nxjerrë nga arkivat e kohës, myku i harresës e pse jo edhe injoranca a mungesa e njohjes. Gjë me vlerë kjo për të na rikujtuar se aventurierët, megallomanët, gjakatarët bashkë, janë ende gjallë ndër ne e mishëruar në kufoma të tyre të gjalla e rrezikojnë gjithnjë popujt

Skena thriller…Larmi personazhesh…Ngjarjesh…Tension…Dhe të gjitha në 200 e ca faqe. Të gjitha ngjeshur e kombinuar aq bukur sa që nuk të lënë ta lëshosh nga dora.

E po unë nuk do ua rrëfej të gjitha. Merrni librin se as nuk shkruhen e as nuk gjenden kollaj libra të tillë. E Arben Kallamata nuk e ka vetëm për ndoca miq e të njohur këtë libër. E ka për të gjithë që e duan letërsinë, që duan të njohin historinë, që ngjethen nga rrëfenja me spiunë realë e ngjarje të mëdha që nuk harrohen. Ka nga të tëra e për të gjithë…

©Ylli Pango