Letërsi

Irlandezi në aeroportin JFK - Tregim nga Roland Gjoza

Roland Gjoza

Ai u shfaq herët në terminal. Me një karrocë invalidi me bateri. Mbante një qeskë për prostatin, në hundë kishte mbërthyer një llastik, që lidhej me një aparat oksigjeni. I kërkuan pasaportë, po s'kishte. Paraqiti një Green Card të vitit 53. Një copë rreckë që mezi lexohej. Ajo s'vlente. I kërkuan një çertifikatë. Nxorri një shkresë të vjetër, të palosur, gati një mbeturinë letre, çertifikatë e vitit 62. S'kishte biletë avioni.

Ai mezi merrte frymë. Ishte i mbaruar. Duhet t'i kishte tetëdhjetë.

Ju lutem më ndihmoni, thoshte, jam irlandez, shkoj të vdes.

Ishte rregull që gra shtatëzana dhe njerëz të sëmurë të mos udhëtonin. Një vdekje në avion prishte shumë punë. Ai, irlandezi që lutej me aq përulesi, duhet të kishte të paktën një shoqërues.

Xhejms Hini, menaxheri, ishte irlandez. E çuan te ai.

Zotëri, më ndihmo! Dua të shkoj të vdes në vendin tim në Irlandë. S'më ka ecur. Nuk mund të vdes këtu.

Është pak e vështirë, po do të bëj çmos për ty.

I thanë Xhejmsit të bënte kujdes se mund të humbte vendin e punës, në qoftë se plaku vdiste gjatë udhëtimit.

Është irlandez, tha menaxheri, ju s'mund ta kuptoni ç’do të thotë kjo.

E shoqëroi vetë. E futi në avionin e mbushur plot dhe atje tha: Zotërinj! Ky plak është nisur për të vdekur në Irlandë. Kush do t'i lirojë vendin?

U ngrit menjëherë një djalë i ri.

Do t'iu dëmshpërblejmë, i tha Xhejmsi.

Nuk ka rëndësi, e bëj për babanë tim, që s'shkoi dot në gjallje të vdiste atje.

Njerëzit në avion duartrokitën.

Xhejms Hini humbi punën. Plaku kishte vdekur mbi oqean shumë afër Irlandës.

©Roland Gjoza