Letërkëmbim me Don Kishotit - Nga Agim Baçi

I nderuar kalorës i famshëm i Mançës, Don Kishot,
Përgjigjet tuaja të mëparshme më kanë dhënë kënaqësi të madhe për gjithçka që më shkruani dhe, bashkë me këtë kënaqësi, edhe kurajon për të besuar se mund të vazhdoj ende pyetjet drejt jush, ashtu siç edhe më këshillonit në letrën që sapo më keni dërguar. Ndihem me fat për këtë mundësi që më dhatë ndaj, nëse më lejoni, dëshiroj t’ju pyes ende për disa çështje që më më keni sjellë në mendje gjatë leximeve të udhëtimeve tuaja.
Duke besuar se do kem prej jush vëmëndje, desha t’ju pyes në lidhje me një çështje shumë të rëndësishme që e kam menduar sa herë ju kam lexuar e rilexuar. Nuk kam pse ta fsheh - për mua ka rëndësi të kuptoj atë marrëdhënie që keni me Sanço Pançon, për të cilin ju më flisni se këmbeni biseda e mendime. Por, nuk mund të qëndroj pa ju thënë se, kur u nisët për të realizuar aventyrat që ju kishin feksur në mendje, ju besonit në diçka të madhe, ndërsa Sançoja vendosi të vinte me ju në këtë udhëtim për krejt tjetër gjë - për pasurinë që do të pasonte fitoret tuaja, siç i premtuat që në krye të aventyrës. Atëherë, nëse më lejoni t’ju pyes drejtëpërdrejtë, siç ju pëlqen ju të flisni gjithnjë: si është e mundur që një person aq ndryshe nga ju të bëhej pikërisht shoqëruesi i udhëtimeve tuaja, e më pas, edhe bashkëbiseduesi juaj i rëndësishëm i dashurisë dhe përballjes me botën?
Nga ajo ç’kam hasur në leximet e udhëtimit tuaj, më duket se Sançoja nuk beson aspak në dashuri. Madje më duket se nuk beson në triumfin e së mirës, për të cilën ju kërkoni të kryeni betejat. Ai duket tmerrësisht i lidhur me atë çka do të fitojë dhe gjithçka tjetër i duket e kotë. Kjo rënie dakord me të, nga ana juaj, më është dukur e çuditshme edhe pse, në disa raste, kur ai ju ka kërkuar të tërhiqeshit nga betejat tuaja, duket se ka pasur të drejtë.
Falmëni në këmbënguljen time dhe për guximin për t’ju pyetur për mikun tuaj kaq hapur, por lejomëni t’ju them se, për këdo nga ne, mbetet me shumë rëndësi njeriu me të cilin kërkojmë të bashkudhëtojmë drejt asaj që dëshirojmë të arrijmë, ndaj dhe dëshiroj shumë të di prej jush për këtë përvojë të rrugëtimit me Sanço Pançon.
Ndjesë që e përdora menjëherë lejen tuaj për të vijuar me pyetjet drejt jush, por besoj te përgjigja juaj si një njeri që e di pse duhen miqtë.
I juaji, Agim...
Përgjigje këndonjësit tim këmbëngulës
I dashur Agim,
Unë, Agim, nuk kam ngurruar kurrë të dëgjoj kritikat e Sanço Panços, e madje nuk kam ngurruar as që të pranoj këshillat e tij. Vërtet atij duket sikur i mungon imagjinata. Madje i mungon edhe aftësia për të ëndërruar. Por ai është një vëzhgues shumë i hollë i gjithçkaje që sheh rreth e rrotull. Ai sheh gjithnjë ku hedh hapin, pasi nuk e mban kokën lart, si unë. Ai vërtet nuk fluturon, por as nuk rrëzohet.
Nuk di të të them me siguri nëse kjo ecje mund ta dërgojë atje ku ai dëshiron. Dhe ndoshta atij nuk i janë dashur aspak ëndrrat e mia për atë që ka kërkuar në jetë. Ai e di që me hapin pranë tokës do të jetë i aftë gjithnjë të ushqehet e të mbrohet. Ai as nuk ka nevojë të fluturojë për të qenë diku larg. Por ndoshta atij nuk i duhet aspak as të ëndërrojë. Ndihet i lumtur ashtu, me atë që sheh, me atë që prek, me hapat që bën.
Ah, ndoshta po buzëqesh tani me këto fjalët e mia. Por nuk po kërkoj t’ju vë aspak në lojë. Unë e di se sa e rëndësishme është të kesh, të paktën, një ëndërr në jetë. E di fort mirë se për një njeri është e rëndësishme të ëndërrojë. Por ndonjëherë, një Sanço që vepron ashtu si di ai, është i mirë për të gjithë ne që fluturojmë, pasi një i tillë mund të na bëjë thirrje për të zbritur nga kali i mendimeve tona, nëse ky kalë është një Rosinant që nuk ecën. Një Sanço, si miku im, është i rëndësishëm, pasi të vetëm ne ndoshta nuk arrijmë kurrë të zgjohemi e të shohim realitetin.
Unë e di fort mirë se jam pjesa e munguar e Sanços. Por edhe ai është pjesa ime e munguar. Ai është nevoja jonë për të ditur se jeta jonë nuk është vetëm një ëndërr, por edhe një realitet. Ai është aty që ne të besojmë se kemi rrokur bregun e gabuar dhe se plaga e hapur kërkon shërim.
Mua Agim, më pëlqen shumë të ëndërroj, por dua njëkohësisht të arrij të hap sytë në mëngjes, të shoh dritën e diellit dhe të kuptoj se cila stinë është ballë meje. Për këtë shpesh nuk duhet ta kemi larg Sançon, sepse ai na kujton për atë që ne nuk arrijmë ta shohim pasi ëndrra na ngjit ndonjëherë lart, pa ditur se të prekësh tokën është sërish mrekulli. Megjithatë, e rëndësishme është të mos përfundojmë mbi gomarin e Sanços, mos të na pëlqejë të zvarritemi.
Sa për miqtë, i dashur Agim, bën mirë të mendohesh gjatë për ta. Ndihmoji ata në vështirësi. Buzëqesh me ta. Por mos lejo kurrë që të ndërhyjë dyshimi në marrëdhënien me një mik, sepse dyshimi është vrasës i pandreqshëm. Zgjidh të qëndrosh me ata që e kuptojnë buzëqeshjen dhe që dinë të të zgjasin dorën me të njëjtën lehtësi në sukses dhe në gabim, e njëkohësisht, po me aq lehtësi, ndihmë të kërkojnë.
Por, nëse dikush nuk ka ditur të zërë kurrë miq në jetën e tij, më mirë mos rri me ta, se është humbje kohe. Nuk mundet dikush ta kuptojë botën nëse në jetë nuk ka menduar për miqtë, nuk ka sakrifikuar për ta, pa pasur nevojë t’jua thotë atyre.
Rrugëtimi im është i gjatë, ndaj lejomëni t’jua lë këtu përgjigjen time.
Lamtumirë Agim!
© Agim Baçi (shkëputur nga libri “Letër Dylqinjës”)