Kënga e gjërave të zakonshme - Nga Alfons Zeneli

Marr një copë ditë,
e lyej me sy
dhe e le në parvaz të dritares
që ta kenë ushqim
kur të kthehen
zogjtë e harrrimit.
Një liman shtrëngon në gjoks
velierat e paikura të dallgës.
Dallga strehon skelete piratësh guximtarë.
Liqeni krihet para fustanit tënd
të shkojë në ballon
e heshtjes së peshqve.
Varkëtarët i luten Perëndisë së Kthimit
dhe shfryjnë
dhe thithin pikëllim.
Serenatat si murgj
hanë shpirtrat e tyre të vetmuar.
Nga shpellat e tingujve
del një shpend
që krroket nëpër plagë shikimesh.
Bie dhe shi.
Kushedi
dhe se sa gjëra të tjera
kanë ndodhur.
Kushedi.
© Alfons Zeneli