Krishti me kamxhik
Fan Noli
Në kështjellë t'atdheut, në tempull të fesë
Janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,
Tregëtojnë e gënjejnë, rrëmbejnë e sfrutojnë,
Thon' ashtu Israelin e mbrojn' e shpëtojnë.
Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
Dhe shkëlqejnë në kish' e në fron me kurorë,
Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
Dhe kështu parazitët gjakpirës po rriten.
Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
Na u ngrit gjer në kulm, dhe u bë kryetar
Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,
Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.
Çdo i shenjtë ideal, çdo shtëpi Perëndie
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie
Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla.
Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
Krisht' i ëmbël u ndes dhe u bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dëboi,
Dhe nga larot gjakpirës atdhen' e shpëtoi.
Dhe Shën Pjetr' i gëzuar aherë i tha:
"Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
Me kërbaç e me shpatë mbi ne mbretëro,
Dhe me forc' e pahir na çliro, na shpëto."
"Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
Se të marrët, të shurdhërit s'kanë dëgjuar;
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.
Se shpirt-robi s'çlirohet askurrë pa drurin."
Jesu Krishti s'dëgjoi, dhe s'e mori vesh mikun.
Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
Dhe i tha: "S'e ka fajin kurrizi, po truri,
Se lirin' e sjell drita e mendjes, jo druri."
"Merre prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjegj,
Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
Përkëdhel' u kurrizin dhe do t'të besojnë,
Vraji, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t'adhurojnë".
Jesu Krishti s'dëgjoi, dhe s'e mori vesh mikun.
Dhe s'u unj përsëri që ta merrte kamçikun:
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen' e atdhenë.











