Letërsi

Bota e nëndheshme e librit - Nga Flurans Ilia

Marrëdhëniet me lexuesin janë gjithmonë të ndërlikuara. E them këtë nga përvojat e mia. Kjo edhe si rezultat i realitetit shqiptar të marrëdhënieve me botën e librit. Sepse “i takon” kryesisht (edhe) autorit, puna për ta bërë njëfarësoj librin të bjerë në duart dhe syrin e lexuesit. Një proces i koklavitur ky sepse i jep idenë e gabuar publikut sikur autori po përpiqet të na shesë mendje, gjë që nuk është e vërtetë. Shkrimtari në Shqipërinë e sotme është një qenie e vetmuar. Këtu mund të krijohet një parantezë e thukët gjithashtu me autorë jo të zakontë të cilët jetojnë prej vitesh jashtë vendit.

Artisti ka vetëm veten, fillin dhe vrimën e gjilpërës që është gjuha e tij, dhe po qe se është pak me fat, një grup shoqesh dhe shokësh, të cilët i kanë qëndruar për një arsye ose një tjetër besnik në avlëmendin e kohës, nga rrethana letrare por edhe nga këndvështrimi njerëzor. Nuk dua t’i futem institucionalizimit si formë ndërtimore se si projektohet gjithmonë e më shpesh libri, se sa dua të heq një vijë paralele me atë që përbën botën e nëndheshme të librit për një kategori të caktuar autorësh.

Dje, ditën e shtunë, vete me tim bir në zyrën e postës (instaluar brenda një kinkalerie) për të postuar dhe nisur një kopje të librit tim në Evropë, një prej lexueseve të mia më besnike ndër vite për të cilën kam një mal me respekt dhe dashuri të ndërsjelltë. Brezi i tim biri nga ajo çfarë kam parë me bashkëmoshatarë të tij nuk janë të interesuar për librin, dhe kjo më vret. Leximi u duket kohë e humbur, jo saktësisht, por kohë që zvarritet, ndërkohë që këta ecin shumë më shpejt me imazhin, në aspektin teknologjik të fjalës. Ajo çka për ne dje ishte botë letrare, një univers imagjinar përshkruar me fjalë dhe personazhe, për fëmijët e sotëm është personazhe dhe video-game. Edhe këta krijojnë me mënyrën e tyre figurative. Problemi qëndron te abuzimi i industrisë me ta.

Në kinkaleri, drejtohem në zyrën e postës ku nga njerëzit në radhë vetëm një zonjë e moshuar më shikon me ca sy që i shndrisin gjithë melankoli teksa fus librin në zarf, dhe pjesa tjetër (kryesisht të rinj) më shohin si jashtë-tokësor, si personazhin K të Franc Kafkës me një llaf. E ndërsa ndihem paksa i abuzuar nga vështrimet e tyre, sikur ne të tjerët nuk jemi njerëz me shpirt e zemër, është edhe im bir që më qepet t’i blej një kartë Roblox që të ketë mundësi të luajë me të në linjë. Janë një armatë e tërë fëmijësh vs prindërve, ku thembra e konfliktit zhvillohet jo më rreth mureve të Trojës, por qark qarkut të trojeve tranzitore të kibernetikës.

Lufta e sotme i përngjan po atij dreq kali të drunjtë që na kanë futur brenda mureve të shtëpisë, pabesisht. Si ajo shprehja që thotë “U kanë futur shejtanin në bark!” - apo jo Aleksa? Por nuk jam paragjykues në këtë drejtim. Koha bën kohën e vet. Kush do jetë produkti i kësaj kohe? Këtë nuk mund ta them hë për hë. Por të gjitha këto po i bluaja në mendje në zyrën e postës.

Shumë më vonë pasi ishim kthyer në shtëpi, u kujtova papritur, dhe u turbullova pa masë, m'u prish gjaku teksa po realizoja në mendje se kisha harruar t’i nënshkruaja një mbishkrim mikes time të mirë. Gabim i pafalshëm nga ana ime. Por, a nuk thamë më sipër se edhe ne jemi njerëz me shpirt e zemër dhe, njeriu bën edhe gabime?

Njeriut në fjalë iu desh të përshkonte të gjithë këtë trysni rrethanore për ta shpënë librin e tij pikërisht drejt lexuesit ideal dhe kur çasti shfaqet harron një dedikim njerëzor për këtë marrëdhënie kaq intime me tjetrin?! Atëherë i thua vetes me keqardhje se, je një copë k - jo e vogël e shtypit - K me germa kapitale, përballë Kështjellës, Procesit, Amerikës, Kolonisë ndëshkimore, madje edhe vetë Metamorfozës së personazhit, prej nga ku Franci ynë krijoi alibinë e autorit të një libri si fajtor kryesor i mosnënshkrimit të librave të vet.

© Flurans Ilia - Montréal, 3 dhjetor 2023