Ç’Krishtlindje janë këto kur mungon nëna - Nga Roland Gjoza

ç’krishtlindje janë këto kur mungon nëna
dy javë përpara tëholleshin petët
njëqind petë të lyera me gjalpë të shkrirë
shtëpia zbardhej nga mielli
shtëpia këndonte këngët e beratit
të gjitha për dashurinë
tani djali në studion e tij
hedh në telajo krishtin pantokrator
mbi uoll strit
gruaja mban nipçen e vogël
në nju xhersi
unë në nju jork fillikat vetëm
e di që do të harroj prej shkrimeve
se kur bie krishtlindja
në tavolinë si krishti bukë dhe verë
dhe një qiri që digjet
të ishte gjallë
do të vinte rregull
kaq shumë brinjë qingji në pjatancë
sa të hante një repart ushtrie
supë (s’hiqte dorë prej saj)
sallata, pije, fruta
bakllava me njëqind petë
dhe syri i saj vigjilent
ë, xhan, si ju duket?
ne do t’ia ngrinim në qiell
harronte, e bekuara
që unë, gruaja dhe ajo vetë
qingjin dhe bakllavanë
e kishim të ndaluar
ah, të ishte gjallë
veç të ishte gjallë
si linim një brinjë në pjatancë
ia hanim të gjithë bakllavanë!
© Roland Gjoza