Letërsi

Cikël poetik për pranverën - Nga Roland Gjoza

1.

PIANO

një piano lulesh dua

flora

pentagram

notat lule

zgjas duart

mbi tastjerën me trëndafila të kuq

pranvera bëhet

muzikë

e bukur

mozarti lule

2.

PRANVERË SI KJO NJU JORKU S’KA PARË ASNJËHERË

pranverë si kjo nju jorku s’ka parë asnjëherë

prej xhepave pemët zgjasin degët

këcejtë e hollë të luleve, bumbeskat

pranverë si kjo nju jorku s’ka parë asnjëherë

fusin dorën njerëzit nëpër xhepa

dollarë nxjerrin, jo gjethe

dollarë nxjerrin, jo petale fletë-fletë

dhe s’pyesin: how much? how much?

po:  I love you! prej qejfit.

pranverë si kjo nju jorku s’ka parë asnjëherë!

3.

PRANVERA S’VJEN VETËM PËR DRURËT

pranvera s’vjen vetëm për drurët

një zog fluturon rrotull kurmit tënd

kërkon të ngrejë fole në gropkën e gjinjve

e largoj me duar

ai vjen sërish të ngrejë fole në kofshët e tua

shkon dhe vjen me një fije kashtë në sqep

dhe cicërin

sikur më lutet

mos më largo me duar!

e kuptoj më në fund se dhe ti je një pemë e lulëzuar

4.

TI BRENGË NDJEN PËR MUA

ti brengë ndjen për mua

po s’ma thua

hahesh si hëna e muajit

herë je e plotë

kur unë të kam harruar

brenga është gjelbëruar

herë je përgjysmë

kur të kam kujtuar

kanë nisur të korrat e luleve

herë bëhesh si thua

kur ke shpresuar

brenga është magjijuar

tani je bërë fir

si nata pa hënë

se jemi takuar

brengë ti ndjen ende për mua

brenga është zbukuruar

po s'ma thua

ke frikë se më humb

se frikë është dashuria

dhe kur thua të dua

por këtë s’ma thua

hahesh si hëna e muajit

5.

BOTA M'U BË MOLLË

bota m'u bë mollë

erdhi pranvera në dimrin tënd

dhe e bëri të gjelbër

mama, ti s’do të vdesësh

përderisa ke në shtëpi një poet

ç'është diabeti?

një alkimi e kthyer mbrapsht

s'ka ilaç që ta shërojë

po është biri yt poet

që ia di sekretin

dhe ti i vë veshin kur flet

aq do

që ai të flasë dokrra

dhe ti të hiqesh sikur po të shëron.

6.

SOLFEZH

do re mi fa sol la si

janë lule

s’janë nota muzikore

i marr përdore

t’i çoj te kopshti i fëmijëve

aty rriten gjenitë

të mëdhenj si ajnshtajni dhe bethoveni

lule janë

s’janë miliona

atyre iu mjafton

një akullore

© Roland Gjoza