Letërsi

Via Dolorosa - Nga Ndue Ukaj

 Ndue Ukaj

Mali i ullinjve është i zbrazët.

Në Via Dolorosa dëgjohet zukama e mizave

dhe një heshtje mizore që përshkon qiellin si murmurima. 

Kanë ikë ushtarët dhe gjyqtarët nga sallat e drejtësisë. 

Ai Juda i ri me tridhjetë aspra në xhep

është plandosë në Arën e Gjakut.

Pilati, perandorët dhe të gjithë komandantët

dihatin të frikësuar në fronet e mbyllura.

Është pranverë dhe dielli është i mërzitur,

si këto Pashkë të vetmuara.

Njerëzit kanë mbyllë dyert dhe dritaret si dikur kur u ça tempulli.

Ushtarët s’rrinë të rreshtuar, kanë heqë rrobat,

helmetat dhe janë ngjeshë me trishtim.

Është koha e kryqëzimit, të gjithë jemi në kryq.

Turmat e hamendura s’dynden në rrugët e Jerusalemit

Janë mbyllë dhe përmes frikës shohin zbrazëti. 

Zbrazëti ka shumë dhe askush s’ka dëshirë ta bëjë udhën e vuajtjeve.

Të gjithë luten të largohet ky kelk trishtimi.

Kambana s’bien, zogjtë të mërzitur s’cicërojnë.

Rruga Via Dolorosa është e zbrazët, s’dëgjohet shushurimë gjuhësh, dëshirash.

I zbrazët është Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan,

ai i Nënë Terezës në Prishtinë.

Sa shumë zbrazëti dhe pikëllim.

Njerëzit kanë nevojë për pak mirësi dhe thonë: “kemi etje.” 

Ç’mendojnë zemrat e helmuara që s’dinë ç’është etja e dashuria?

Heshtje, heshtje, e tmerrshme si atëherë kur Krishti dha shpirt.

Sot të gjithë të mbyllur përshkojnë Via Dolorosan

dhe shkruajnë dramën e Pashkëve,

gatuajnë bukën e dashurisë me përbërje të gjithfarshme:

pak lot, shumë shpresa, ca dhimbje dhe një grusht dashuri.

Të dielen me parfume në dorë, presim,

presim të hyjë aroma e bukës në dhomë

dhe errësirën ta davaritë

dhe të lëshojë një ngjyrë më të bardhë se bora.

Si fëmijë e kam mësuar se një e premte e zezë

mund ta mërziste edhe një gur

dhe një e diel e bardhë

mund ta zbuste edhe një zemërgur.

© Ndue Ukaj - Prill, 2020 (nga vëllimi poetic “Retë prej drite”, Onufri 2022)