Letërsi

Unaza me ngjyra

 Nga Zija Çela

Pas atij shiu aq të mërzitshëm, më në fund ai pa një dritësim rrezëllitës ndanë dritares. Mos po i faniteshin projektorët e diskotekës? Për të provuar se nuk ishte në ëndërr, preku togëzën e pantallonave. Pastaj, kur hapi derën, mbeti i befasuar. Skaji i një ylberi përfundonte bash në oborrin e tij. Djali ndjeu një ngazëllim të menjëhershëm dhe, pa e zgjatur, rrëmbeu tufalakun e ngjyrshëm dhe doli në rrugë, duke e tërhequr pas vetes. Ec e tërhiq, ec e tërhiq, teksa qemeri përkulej vazhdimisht, ai po shkonte drejt qendrës së qytetit thuajse symbyllazi. Një ngashënjim fërgëllues sikur e shtynte vetiu për atje. Me gjasë, në anën e matanshme të qytetit dikush e tërhiqte skajin tjetër, duke iu afruar qendrës gjithashtu. Kur ylberi mori formën e rrethit të plotë, ata u bënë bashkë. Tani nuk ishte vetëm një djalë, por një djalë e një vajzë. Dhe as që pati nevojë për fjalë, u ra në kokë me vështrimin e parë.

Mirëpo për të provuar se nuk ishte ndonjë magjepsje virtuale, por një skenë reale, ajo zgjati duart për ta prekur. Merret me mend, as ai s’i kishte të lidhur krahët e tij. E kështu, me t’u prekur të dy, dalldisë së vajzës iu shtua edhe joshja e djalit, ndërsa ngashënjimit të djalit edhe dalldia e vajzës.
Pastaj, me sytë e fiksuar te rrethorja gjithë ngjyra, asaj i gurgulloi zëri kur pyeti:
- E çfarë është kjo?
- Është një kurorë për ty, - u gjegj i gatshëm ai.
- Jo, - tha vajza, - kjo është një unazë dhe ti je fati im. A martohemi bashkë?
Pranverën e kaluan me ha-haa e hi-hii. Në verë ndonjë tel nervor u nxehej nganjëherë. Me afrimin e gjëmimeve të vjeshtës, gërnjet erdhën duke u shtuar. Dimri qe i gjatë, por edhe i rëndë. Çiftit i shkoi stina gam e gam me njëri-tjetrin.
Ende pa u mbushur njëmbëdhjetë muaj e një javë, një pasdite teksa reshte borë, ajo vërejti se unaza kishte nisur t’ia nxinte gishtin. Kushedi përse, iu kujtua dita e asaj dalldisë së furishme dhe, në dëshpërim e sipër, i mallkoi të gjithë ata që thonë se ylberit i mungon e zeza.

 

Tagged under Zija  Çela unaza ylberi