Sport

Boksieri shqiptar Kristian Prenga përballë kanadezit Tim Chemelli – Toronto Convention Centre, 24 mars 2018

Nga: Skënder Buna

Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të ndeshet përsëri në një ring kanadez dhe pikërisht në Toronto Convention Centre, më 24 mars 2018 ora 19:00. Kundërshtari i tij i radhës do të jetë 36 vjeçari Tim Chemelli nga Cold Lake, Alberta.

Rivali kanadez i Prengës është 188 cm i gjatë, peshon 93 kg, renditet i 267-ti në klasifikimin botëror të peshave të rënda dhe i 9-ti në rang vendi. Pas një ndërprerje, ai ka rifilluar të boksojë përsëri në kategorinë e peshave të rënda në mars 2016 dhe ka fituar 10 nga gjithsej 16 ndeshje të zhvilluara.

Nga ana e tij, shqiptari Prenga rikthehet në ringun kanadez pas fitores emocionuese të 30 qershorit 2017 në ndeshjen përballë meksikanit Alfredo Tervino në Niagara Falls, në kuadrin e Canadian Heavyweight Campionship Fight, organizuar nga kompania e boksit Global Legacy Boxing me partnerë Les Woods dhe ish-kampionin botëror të peshave të rënda Lennox Lewis. Në një atmosferë të ndezur pas ekzekutimit të Himnit kombëtar shqiptar brenda një salle ku valëviteshin flamujt kuqezi nga qindra përkrahës të komuniteti shqiptaro-kanadez, dueli u fitua në vetëm 58 sekonda me KO nga mirditori gjigand Kristian Prenga.

Takimi i Torontos pritet të jetë shumë i fortë. Sërish atmosferë e ndezur e garantuar dhe një pjesëmarrje e lartë e sportdashësve shqiptaro-kanadezë me banim jo vetëm në Ontario. Në një postim në rrjetin social Facebook drejtuar përkrahësve të tij Prenga shkruan: “Një superpërballje me Tim Chemelli. Përgjegjësia është shumë e madhe, por akoma më e madhe është dëshira per t’ju bërë krenarë me arritjen e radhës”.

Për ata që nuk e njohin, Kristian Prenga, lindur më 24 janar të vitit 1991 në Orosh të Mirditës, është një sportist profesionist shqiptar i peshës së rëndë në artet e miksuara marciale, dy herë kampion europian në Kickbox (2016, 2017). Talentin e tij e zbuloi dhe përkrahu kampioni tjetër i famshëm shqiptar Gjetan Keta. Prenga e ka filluar karrierën në moshën 22 vjeçare, peshon 110 kg dhe ka gjatësinë 197 cm. Në duelet e zhvilluara prej tij ai ka humbur vetëm një takim. Ndeshja e 24 marsit është sfida e tij e radhës pwr progresin e mëtejshëm në rrugën e boksit profesionist për kategorinë e peshave të rënda.

FlasShqip.ca i uron fitore boksierit shqiptar dhe njofton të interesuarit për bileta të telefonojnë në numrin 289-400-5623 ose të adresohen direkt në Website www.kristianprenga.al