Sport

Ilir Pernaska, bomberi i futbollit shqiptar - Nga Saimir Kadiu

Në 68 vjetorin e lindjes

Padyshim një nga futbollistet më të mëdhenj dhe më emocionues të historisë së futbollit shqiptar.

Pernaska mbahet mend si një lojtar bukurosh, i fortë si hekuri, i shpejtë si era dhe finalizues goli si ai...

Pernaska u bë pjesë e ekipit Dinamo qysh në moshën 16-vjeçare.

“Guardiola” shqiptar i asaj kohe, Skender Jareci besoi tek dinamizmi dhe talenti i këtij djaloshi simpatik dhe nuk gaboi…

Pernaska u bë simboli i golit në futbollin shqiptar për më se një dekadë duke fituar me Dinamon më të madhe të historisë së saj 5 kampionate kombetare, tri kupa republike, dy spartakiada kombetare dhe u shpall 6 herë radhazi golshënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (1972- 1977).

Pernaska bashkë me Iliaz Çeçon, Shyqyri Ballgjinin, Vasillaq Zërin, Faruk Sejdinin, Gani Xhafën, Jani Ramën, Ahmet Ahmedanin, Ilir Luarasin, Rifat Ibërshimin, Haxhi Mergjyshin, Ibrahim Kodrën, Torez Çirakun, Muhedin Targajn, Andrea Markon, Artur Çobanin, Aleko Bregun, etj, ishin emblemat e Dinamos së madhe te viteve 70'.

Pernaska-Zëri-Ballgjini mbetet trinomi më i madh dhe i papërsëritshëm i futbollit shqiptar.

Luajten në një kohë kur nuk fituan asgjë materiale. Luajtën me ndershmëri dhe talent për gëzimin tonë në kohë të vështira dhe mbetën idhujt tanë.

Kurrë nuk mund të harroj parrullen e madhe në tribunën karshi të stadiumit "Qemal Stafa": “Pernaska Gol”, sepse Pernaska ishte sinonim i golit.

Ai ishte një Myler në realizimin e golave (shenoi 265 gola në karrieren e tij) dhe një Kevin Kigan në lojën e shpejtë, luftën për top të parë apo goditjet me koke.

Është klasifikuar i 4-ti nga FIFA si golshënues në kampionatet kombëtare, në 100 vjetorin e golashënuesve më të mirë në Europë:

1-Nordal, 2-Pushkash, 3-Gerd Muller, 4-Ilir Pernaska...

Në një intervistë të dhënë disa kohë para se të nderronte jetë, “rivali” i tij në fushë, Safet Berisha, është shprehur se “Pernaska mund të luante në kohen e tij më të mirë në çdo ekip të Serise A si lojtar titullar”.

Kushtet politike të Shqipërisë së kohës së diktaturës nuk e lejonin shpërthimin e talenteve shqiptare për të luajtur jashtë vendit.

Për më tepër, për arsye që sot duken absurde, ekipet tona dënoheshin me të drejtë nga UEFA apo FIFA, kur nuk luanin kundër skuadrave, shtetet e të cilave konsideroheshin armike nga PPSH.

Imagjinoni sot sikur në ekipin shqiptar të luanin talente si Panojot Pano, Skënder Halili, Skënder Jareci, Refik Resmja, Gani Merja, Ali Mema, Sabah Bizi, Iliaz Çeço, Mehdin Zhega, Mexhit Haxhiu, Ilir Pernaska, Hysen Zmijani, Sulejman Demollari, Agustin Kola, Shkelqim Muça, Arben Minga e shume te tjere.

Do të kishim një kombëtare të "tmerrshme", pasi talentet nuk kanë munguar…

Ilir Pernaska luajti 14 ndeshje me ekipin përfaqësues dhe shenoi 5 gola. Debutoi më 14 nentor 1971 kunder Turqise në Tiranë me 2 gola në fitoren 3-0 dhe e mbylli në Finlande më 2 shtator 1981.

Nuk e kam parë Loro Boriçin, as Skender Jarecin dhe Refik Resmen. Panon e kam parë në vitet e fundit të karrierës, por po të më pyesin për më të madhin që kam parë në futbollin shqiptar do të thoja menjëherë: ILIR PERNASKA.

Jetë të gjatë Ilir Pernaskës, kampionit të madh shqiptar të golit!