Sport

Një kanadez që garon për Kosovën

Prej datës 10 deri më 20 Tetor 2019 do të mbahet në Aberdeen, Skoci Kampionati Botëror i Kërlingut. Kjo ngjarje merr një rëndësi të madhe për Kosovën, pasi për herë të parë Federata e Kërlingut (Curling)e Kosovës do të legjitimohet si anëtare me të drejta të plota e Federatës Ndërkombëtare të këtij sporti.

Ju do pyesni ç’lidhje ka Kosova me kërling? Epo ku ka vullnet, ka zhvillime. Kosova po konkuron tashmë në gjithë botën në aktivitete sportive e kulturore. Në disa fusha ka patur përvoja e në disa të tjera ka qenë debutuese si në rastin e krijimit të skuadrës së Kurling, e cila për herë të parë në Prill 2019, garoi në Kampionatin Botëror të Kërlingut “Mixed Doubles” në Stavanger, Norvegji.

Skuadra e Kosovës, me trajner Meriton Zenelin është përfaqësuar nga kanadezi tashmë edhe me shtetësi kosovare Peter Andersen dhe Eldena Dakaj. Si për herë të parë ekipi Kosovar pati një performancë dinjitoze duke u radhitur në vend të 44-të në këtë kampionat, ndërsa në rang botëror mban vendin e 47-të nga 61 vende pjesëmarrëse.

Duke marrë pjesë në aktivitete të përmasava ndërkombëtare, shteti i ri i Kosovës ka mundësinë të promovohet botërisht- thotë Peter Anderson, djali që la Kanadanë për Kosovën, duke iu dedikuar me pasion ngritjes dhe zhvillimit të sportit me të cilin ai është rritur në Kingston të Ontarios. Në mungesë të akullit, Peter shtronte në rrugë pistën e sajuar të kërlingut duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Kosovës. Angazhimi i tij u bë edhe më serioz kur mbajti peshën e përfaqësimit të shtetit të Kosovës në kampionatin e këtij viti.

  

Pavarësisht pasioneve dhe angazhimeve personale, duhet theksuar se sportistët dhe artistët shpeshherë identifikohen me shtetet njëlloj si përfaqësues diplomatikë, prandaj ata kanë nevojë të mbështeten në aktivitetet e tyre. Kështu edhe Federata e re e Kërlingut ka nevojë për suportin e bashkëatdhetarëve e dashamirësve të sportit, madje edhe për bashkëpunime me profesionistë shqiptarë të kërlingut në Kanada.

Federata bën me dije se pjesëmarrja në ekipin e Kërlingut të Kosovës është një mundësi e hapur edhe për anëtarët e komunitetit shqiptar në Kanada. Çdo shqiptar që zotëron një pasaportë të Kosovës e që ushtron këtë sport kaq popullor në Amerikën e Veriut, një ditë të afërt mund të përfaqësojë kombëtaren e Kosovës në kampionatet e Kërlingut. Madje, shqiptarët e Kanadasë kanë një avantazh. Ata kanë akses në pista kërlingu fantastike dhe mund të ushtrohen pa asnjë vështirësi. Ndryshe nga lojtarët e Kosovës, të cilët kanë vështirësi gjatë trajnimit të tyre për shkak të mungesës së akullit. Për këtë atyre u duhet të udhëtojnë drejt pistave të akullit.

Prandaj përmes nismës së mbledhjes së fondeve, Peter Anderson, kanadezi që përfaqëson Kosovën në kërling, synon të ndërgjegjësojë diasporën shqiptare dhe veçanërisht komunitetin shqiptaro-kanadez në mbështetje të ekipit të Kosovës.

Çdo dhurim i juaj duke klikuar këtu në gofundme.com është një akt solidariteti mer skuadrën, dashurie për sportin dhe altruizmi. Por edhe nëse nuk e ndjeni se duhet kontribuar me dollarë, sërish ekipi kosovar ka nevojë për kontributin tuaj shpirtëror.

Një urra dhe suksese për ekipin kosovar të kërlingut!

 ©FlasShqip.ca