Sport

Ndahet nga jeta ikona e futbollit botëror Diego Maradona

Diego Maradona, ikona e futbollit dhe kampion bote me Argjentinën në 1986, u nda nga jeta dje në periferi të Buenos Aires, pas një ataku kardiak në moshën 60 vjeç. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i tij Sebastian Sanchi.

Diego Maradona ishte operuar për një hematomë në kokë në fillim të Nëntorit. Sipas mjekut të tij, operacioni pat shkuar mirë dhe ai u konsiderua i shëruar. Megjithatë, edhe pas daljes nga spitali shëndeti i ish-futbollistit yll të Argjentinës mbeti në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe mediave.

El pibe de oro, “Fëmija i artë”, një nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit botëror, pat përjetuar shumë probleme shëndetësore pas përfundimit të karrierës së tij si lojtar, një pjesë e tyre për shkak të abuzimeve Ai pat “flirtuar” me vdekjen dy here, pas dy infarkteve në 2000 dhe 2004.

Ceremoniali për nder të tij do të fillojë nga sot në pallatin presidencial argjentinas dhe do të zgjasë përgjatë tre ditëve të zisë kombëtare të dekretuara nga Presidenti. Argjentina e mbytur në lot prej ditës së djeshme ka humbur kësisoj një nga personalitetet e saj më të dashur, i cili mbetet gjithashtu një idhull për të gjithë futbolldashësit kudo që ndodhen.

©Flasshqip.ca