Sport

Pse Soccer?! - Nga Arben Kallamata

 Arben Kallamata

Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada përdoret fjala ‘soccer’ për t’iu referuar atij që pjesa tjetër e botës e quan ‘futboll’ (football). Ku e ka prejardhjen fjala ‘soccer’?

Në Angli. Po, megjithëse përdoret nga amerikanët dhe kanadezët, ‘soccer’ e ka origjinën në Anglinë e shekullit të 19të, kur filloi të përvijohej vetë loja. Në atë kohë në shkollat angleze luheshin disa varjante loje me top. Për shembull, në Shkollën Rugby rregullat e lojës lejonin goditjen e topit edhe me duar edhe me këmbë, ndërsa në Eton College vetëm me këmbë.

Në vitin 1863 u krijua në Londër Shoqata e Futbollit (Football Association), e para e llojit të vet në të gjithë botën që vendosi rregullat standarte të lojës. Pas krijimit të saj u ndanë qartë dy rregullore: ajo e futbollit ragbi, sipas Shkollës Rugby, dhe futbolli i shoqatës (association football) sipas shoqatës së porsaformuar.

Steven Gerrard

Aty rreth viteve 1870-të studentët e Universitetit të Oksfordit kishin qef të luanin lojra fjalësh, duke shkurtuar fjalë të ndryshme dhe duke iu shtuar nga një -er në fund. Për shembull, fjalën Breakfast ata e kthenin në Brekker. Fjalën rugby e kthyen në rugger, ndërsa fjalën Football në footer.

Kësaj praktike nuk i shpëtoi as fjala ‘association’ në togfjalëshin association football (futbolli i shoqatës), që u shkurtua në soccer. Sipas këtij shkurtimi, hiqej rrokja e parë (a) dhe tre rrokjet e fundit, duke lënë rrokjen –soc-, të cilës i shtonin, sipas praktikës –er. Kjo dha fjalën soccer. Kjo fjalë gjendet e shkruar për herë të parë në vitin 1891 si ‘socker’. Fjala ‘footer’ që përdorej gjithashtu për futbollin është disi më e vjetër dhe daton në vitin 1863.

Ndërkohë termi American Football (Football Amerikan) daton disi më parë se termi ‘soccer’. Për herë të parë i shkruar ai gjendet në dokumente të viteve 1870-të dhe kishte zënë vend mirë në Shtetet e Bashkuara përpara se aty të përhapej futbolli i shoqatës – association footboll, ose soccer.

Përveç amerikanëve dhe kanadezëve, fjala soccer përdoret për futbollin edhe në Australi, në Zelandën e re dhe Irlandë.

Shpesh herë anglezët tallen me amerikanët dhe kanadezët për fjalën soccer, duke mos ditur që ata e kanë shpikur vetë atë fjalë.