Sport

Vasillaq Zëri, “magjistari” i topit të futbollit - Nga Moisi Dalipi

Moisi Dalipi

Shpesh në biseda, kur duam të kujtojmë ata që e kthyen futbollin në një art më vete, pa as më të voglin dyshim, do të bëjmë të pranishëm dhe Vasillaq Zërin, ish-futbollist i Shkëndisë, Dinamos dhe ekipit tonë kombëtar në vitet 1970-1984, që me “vallëzimet” elegante që bënte me topin në fushën e lojës, është vlerësuar tani së fundi nga specialistët, si “Mesi” shqiptar i viteve ‘70. Këtij futbollisti virtuoz të ndarë nga jeta në moshën 66- vjeçare më 25 janar të vitit 2019, që ka lënë tek çdo tifoz magjinë e të qenurit futbollist klasi, mund t’i bësh çdo lloj krahasimi dhe t’i vendosësh çdo epitet, por në fund të fundit, mbetet, siç thoshte dhe shumë herë vetë: “Jam thjesht, Vasillaq Zëri, që luajta 15 vjet futboll”.

Në kujtimet që ka lënë pas për fillimet e tij me lojën e futbollit ai shkruan: “Unë luaja futboll si fëmijë në klasën e katërt fillore tek “Shallvaret”, te fusha e zezë, diku tek shkolla “20- vjetori”. Luaja me të rritur që ishin 10 vjet më të mëdhenj se unë, të cilët më kërkonin të luaja, por duroja edhe goditjet e tyre të rënda. Nga “Shallvaret” ika tek lagja “Alqi Kondi” pranë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot” dhe atje luaja me Tit Dibrën, (Petrit Dibra, ish-futbollist, sulmues i shquar i Tiranës). Luaja edhe te një fushë tjetër e zezë që ishte atje dhe një ditë erdhi specialisti Aurel Verria e nga afër më tha: “Ke qef të futesh në ekip?” - “Po”, - i thashë. - “Hajde e merr materialet”, - m’u kthye menjëherë dhe unë të nesërmen mora tuta të reja e fillova stërvitjen me paratërinjtë, ndonëse isha në klasën e gjashtë. Por babai sa i pa tutat më “urdhëroi” që t’i ktheja materialet nga kishin ardhur, sepse ai “vdiste” për Dinamon dhe unë u largova nga Tirana”.

Më pas e pikas trajneri i të rinjve të Dinamos në ato vite, Leonidha Dashi, i cili e dërgon tek trajneri i të paratërinjve të këtij klubi, Gole Sheshi. Pëlqehet jashtë mase nga veprimet e tij prej prestigjatori me topin dhe në një spartakiadë të pionierëve në Durrës, ai shënon shumë gola. Nis për pak kohë gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, por Zëri e lë për t’u futur në shkollën e “Rezervave të punës”. Ai në vijim të kujtimeve të tij të atyre viteve ka saktësuar: “Lexova në gazetën “Sporti shqiptar” në vitin 1967, se do të hapet një shkollë futbolli dhe unë mendova të konkuroj. Zyber Konçi ishte trajner dhe në komision të pranimit ishin Loro Boriçi, Skënder Jareci, Zihni Gjinali e vetë Zyberi. Dhashë normat e specialistët thanë se unë isha i talentuar, por isha i shkurtër. Skënderi me intuitën e tij i gënjeu dhe u tha se ky djalë, babain e ka të gjatë, ndaj do të zgjatet. Por kur erdhi njëherë babai në shkollë dhe Zyberi e pa se ishte më i shkurtër se unë, u befasua, ndërkohë që unë e kisha marrë bekimin e vazhdimësisë time nga teknika që zotëroja”.

Në vitin e dytë të Shkollës së Mjeshtrisë së Futbollit lojtari i formacionit tregon vlera dhe si ekip shpallet kampion i vendit duke luajtur në pozicionin e mesfushorit. Viti i katërt i shkollës e gjen atë në formacionin e të rriturve në Kategorinë e Dytë dhe shpallen kampion i vendit në këtë kategori. Atë vit Shkëndia e Tiranës, ose “Ajaksi” shqiptar siç është vlerësuar, ngjitet në   Kategorinë e Parë dhe i merr përpara me radhë të gjitha ekipet e mëdha. Mundi Partizanin 2-1 me Panon, Berishën, Jankun, Ziun, Shllakun, Muratin e të tjerë lojtarë të mëdhenj, Labinotin, Vllazninë, Dinamon e të tjerë ekipe. Kur luanin këta djem të përgatitur aq bukur nga trajnerët Zyber Konçi dhe Shyqyri Rreli, stadiumet mbusheshin plot e përplot me spektatorë. Ajo skuadër ka qenë një ansambël i jashtëzankoshëm me futbollistë të tillë si Arjan Hoxha, Vladmir Ajazi, Leonidha Curri, Milto Gurma, Petrit Gjoni, Barjam Hushi, Agim Bulku, Vasillaq Zëri, Mustafa Fagu, Agron Sulo e të tjerë, djem që dhanë  futbollit  shqiptar një dimension të ri. Dhe për fat të mire, e gjithë kjo plejadë u bë pjesë e ekipeve kombëtare dhe më vonë grup trajnerësh të sukseshëm.

Pas përfundimit të IKF “Vojo Kushi” në vitin 1973, mesfushori i dashuruar pas spektaklit në fushat e futbollit, Vasillaq Zëri bëhet pjesë e Dinamos. Trajneri, Skënder Jareci e vuri në rolin e sulmuesit të avancuar, ku sëbashku me Ilir Përnaskën dhe Shyqyri Ballgjinin formojnë një treshe të “frikshme” për çdo skuadër. Shtatshkurtri i bluve Vasillaq Zëri, tashmë së bashku me Përnaskën e Ballgjinin, bëhen tmerri i ekipeve. Zëri fiton me ekipin e tij të ri kampionatet e vitit 1975, 1976, 1977, 1980 si dhe tre kupa Republike në vitet 1974, 1978, 1982 dhe ai është një protagonist i madh në shënimin e shumë golave me aksione vetjake. Ata kanë qenë të papërmbajtshëm duke ndëshkuar çdo mbrojtje që kanë pasur përballë dhe askush nuk ka mundur t’i frenojë.

Fillimisht te Dinamo e Skënder Jarecit gjejmë vetëm Përnaskën. Zëri dhe pas një viti, Ballgjini do të kompletojnë Dinamon me trajner Durim Shehun, i cili edhe ai nuk jeton më. Tre vjet nën drejtimin e tij u fitua gjithçka: kampionate e kupa. Pastaj skuadra u drejtua nga Peqini e Lubonja, por cikli trevjeçar i Durim Shehut është i papërsëritshëm. Katër herë kampionë së bashku dhe tri herë fitues të Kupës së Shqipërisë. Gjatë një dekade, të tre në fushë, kanë regjistruar mbi 400 ndeshje, (aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare), duke shënuar mbi 300 gola në total. Nuk patën fatin të tregonin aftësitë e tyre jashtë Shqipërisë në vitet 1973 -1976 me klube e kombëtare. Me kombëtaren vetëm një herë kanë luajtur bashkë: miqësore në Tiranë, 10 Tetor 1976, në të parën ndeshje që luante përfaqësuesja pas pezullimit, Shqipëri - Algjeri 3-0. Të tre në fushë, Zëri, Ballgjini, Përnaska, madje dy të fundit janë edhe autorët e golave.

Dinamo bazohej te loja e kësaj tresheje, ku tipar kryesor ishte shpejtësia e kundërsulmit (larg akademizmit tradicional dinamovit), me shpërthimet e Ballgjinit dhe fantazinë e driblimet spektakolare të Zërit, për të konkluduar te Përnaska, i aftë të realizonte në tokë dhe në ajër. E njihnin deri në detaje lojën midis tyre, lëviznin, pasonin pa e parë njëri-tjetrin dhe të gjithë shënonin në mënyrë sistematike. Treshja dinamovite e atyre viteve e ktheu shpejt Dinamon në një skuadër gati të pamposhtur të atyre viteve, ku gjithçka zgjidhej nga veprimet e manovrimet e Zërit, Ballgjinit e Përnaskës. Dinamo e fillonte lojën thuajse 1-0, fitonte me shifra të thella dhe skuadrat dorëzoheshin lehtësisht para saj. Lojë e vrullshme e treshes, një kundërsulm vrasës, gola nga të gjitha pozicionet.

Vasillaq Zëri është vlerësuar si një ndër futbollistët me një arsenal unik, shumë të madh teknik, aftësi të rralla dribluese, me veprime magjike në zona të ngushta. I paparashikueshëm, një lojë plot art e fantazi. Përdorues i mirë i të dyja këmbëve, me një vizion periferik të admirueshëm, nuk ka lënë asnjë kundërshtar pa e dribluar. Një “Mesi” i vërtetë për kohën. Me numrin 9 në fanellë, në ndeshjen ndaj Ajaksit në “Qemal Stafa”, ishte i pakapshëm duke i habitur holandezët, që në Amsterdam e pritën si një yll i ardhshëm i tyre. Në Shkodër, ndaj Vllaznisë në një ndeshje kupe, takimi i dytë, ka shënuar golin më spektakolar në minutën e 119-të, kur dribloi disa kundërshtarë.

Gjashtë takime luajti me Kombëtaren: të parin në Tiranë, në miqësoren me Algjerinë në vitin 1976 (3-0), me trajner Boriçin dhe dy të fundit ndaj Bullgarisë, në “Qemal Stafa” (0-2) me 14 tetor 1981 dhe në Vjenë, në sfidën e 22 shtatorit 1982, Austri-Shqipëri 5-0, kur trajneri Rreli e hodhi në fushë për të zëvendësuar Agustin Kolën. Përveç gjashtë ndeshjeve me fanellën kuqezi luajti dhe 36 ndeshje ndërkombëtare zyrtare dhe miqësore brenda dhe jashtë vendit me ekipin e Dinamos. Ishte vertetë lojtar kalibri as sa sot, pakkush beson se do vijë përsëri për futbollin tonë një futbollist i këtij niveli.

Skeda e Vasillaq Zërit

Lindur në Tiranë më 04.08.1952 dhe ndarë nga jeta më 25.01. 2019;

Skuadrat ku është aktivizuar: Shkëndija 1970-1973; Dinamo 1973-1984;

Ndeshje ndërkombëtare:  40 ndeshje, nga të cilat 6 ndeshje me ekipin kombëtar;

Trofetë të fituara: Katër herë titullin kampion: 1975, 1976, 1977, 1980; tri herë fitues i Kupës së Republikës 1974, 1978, 1980 me Dinamon.

Vlerësimet: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Medalje e Artë në futboll”, fitues i Anketës “10 sportistët më të mirë të Shqipërisë”, “Mjeshtër i Madh”.

Burimi: Telegraf