Sport

Euro 2020: Pas ndeshjeve të dyta në grupe - Nga Adriatik R. Dosti

Adriatik R. Dosti - Michigan, SHBA

Italia, Belgjika e Hollanda, tashmë pas fitoreve të dyta në grupe janë tre të kualifikuarat e para të sigurta dhe kanë nisur të mendojnë për kundërshtarin e radhës në 1/16 ...

Turqia, Maqedonia e Veriut e Danimarka pothuajse 99% i kanë thënë që tani lamtumirë europianit, pasi janë tre ekipet që pësuan humbjen e dytë

Nga ekipet e mëdha e me emër, rrezikojnë ose me saktë nuk e kanë ende të sigurtë kualifikimin Kroacia, Anglia, Spanja, por edhe Franca, Gjermania e Portugalia, të cilat do të duhet t’i bëjnë mirë llogaritë e tyre, por edhe të të tjerëve në ndeshjet e treta në grupe, ku më së shumti, e për të qenë të sigurt duhet të fitojnë ose minimumi të barazojnë e të mos humbasin, ndryshe Good bye Euro 2020.

Në ndeshjet e dyta në grupe ranë në sy e spikatën forca e grupit tek Italia, dëshira e Uellsit për lojë e rezultat pozitiv, Belgjika që nuk bën pazar me askënd, Hollanda në rritje, Ukraina e këndshme për t’u parë, Anglia e privuar nga fitorja me një nga rivalët e vet historikë, Skocinë, vetëm në sajë të atij topi goditur në mënyre fenomenale me kokë nga Stouns, e që në vend që të ndalej në rrjetë preku shtyllën, Kroacia e plakur, e lodhur e zhgënjyese, Spanja - hija e vetvetes dhe as gjysma e asaj që ka qenë deri dje, Suedia që mund t’i  prishë punë kujtdo, rizgjimi i Gjermanisë, shpirti i  garës tek Hungaria që frenon Kampionët e Botës - Francën dhe Portugalia që këte radhë mundi veten.

Ç’pritet nga ndeshjet e fundit në grupe dhe ç'mund të ndodhë? Kush mund të eliminohet e kush do t’u bashkangjitet Italisë, Hollandës e Belgjikës, e kush do t’u bëjë shoqëri post-europiane Turqisë, Maqedonisë së Veriut e Danimarkës?

Në grupin A - Zvicra mund e duhet ta mundë Turqinë, në mënyrë që të shpresojë për të qenë një nga 4 ekipet e tretë më të mirë që do të mund të kualifikohen, ndërsa ndeshja mes Italisë e Uellsit luhet më shumë për të parën e grupit e për prestigj kombëtar.

Në grupin B - Finlanda do ta ketë tepër të vështirë përballë Belgjikës ndërsa Rusia disi më ndryshe ndaj Danimarkës, tashmë të rënë moralisht, aq më shumë që edhe një barazim është mëse i mjaftueshëm për rusët për të kaluar më tej.

Në grupin C - Kryendeshja është Ukrainë-Austri dhe unë personalisht parashikoj një fitore të skuadrës së Shevçenkos, por vetëm nëse luan siç luajti në pjesën e parë kundër Maqedonisë së Veriut, aq më shumë që ukrainasve iu mjafton edhe barazimi për të qenë ata të kualifikuar. Ndeshja mes Hollandës e Maqedonisë së Veriut ma do mendja se do t’iu vlejë Tulipanëve thjesht për të bërë spektakël.

Në grupin D - Situata është disi e nderlikuar, pasi Anglisë i duhet të mos humbasë ndaj Çekisë, ndryshe nëse fiton Kroacia me Skocinë, llogaritë do të duhet të bëhen ndryshe, por një barazim mes Anglisë e Çekisë zhvleftëson fitoren e kroatëve, të cilët mund të kualifikohen pastaj vetëm nëse hyjnë tek 4 të tretët më të mirë të grupeve. Pak besoj tek ndonjë mrekulli e skocezëve.

Në grupin E - Spanja me vetëm 2 pikë rrezikon së tepërmi, aq më shumë që nuk e shoh të lehtë ndeshjen e saj të radhës kundër Sllovakisë, ndërkohë që Suedia duket disi më e qetë dhe i mjafton edhe barazimi me Poloninë për të qënë ajo e para e grupit. E megjithate, në këte grup gjithçka mund të ngjasë, sepse pyetja shtrohet: A është dakord Levandovski me shokë të ikin kaq shpejt nga europiani?

Në grupin F - Matematikisht të katër ekipet janë në lojë, madje edhe Hungaria me 1 pikë e që do perballet me Gjermaninë, ndërkohë që pritet një ndeshje zjarr mes Francës e Portugalisë. Personalisht, përfshirë edhe opsionin e të tretëve më të mirë në grupe, mendoj që Franca, Gjermania e Portugalia do të mund të kualifikohen për më tej.

Cilët ekipe kualifikoj unë direkt nga grupet e për cilët ekipe mendoj se do jenë në 4-shen e të tretëve më të mirë?

Italinë e Uellsin dhe Zvicren si e treta e grupit. Belgjikën e Rusinë, Hollandën dhe Ukrainën, e ndoshta edhe Austrinë si e treta e grupit. Anglinë e Kroacinë dhe Çekinë si e treta e grupit. Suedinë dhe Spanjën, e ndoshta edhe Poloninë si e treta e grupit. Francën e Gjermaninë dhe Portugalinë, e renditur pas tyre.

Megjithatë, gjithçka mund të ngjasë, pasi parashikimet, jo vetëm të miat, që e njoh mjaft mirë futbollin dhe kam një jetë të tërë me të, por edhe të specialistëve më të mirë të botës, në jo pak raste, e veçmas në evenimente të tilla nuk kanë rezultuar plotësisht ashtu siç kanë thenë ata, sepse futbolli shpesh e përjashton logjikën, traditën e deshirën, e aq më shumë që është një lloj sporti e loje ku në historinë e tij mbi 100 vjeçare të gjitha kanë ngjarë, e aq më shumë që nuk hyn tek shkencat egzakte.

Ju kujtohet viti 1950, kur Kampion i Botës u bë Uruguaji, e Brazili shpërtheu në lot? Po viti 1954, kur Gjermania e panjohur në futbollin botëror deri atëherë, mundi Hungarinë e famshme të Pushkashit me shokë? Po Hollanda e viteve 70, që nuk mundi të fitojë dot asnjë trofe madhor europian e botëror? Po Italia e vitit 1982 që mundi Brazilin më të mirë të të gjitha kohërave? Po Çekosllovakia e Danimarka, kampione të Europës në 1976 dhe 1992 ju kujtohen? Po Greqia kampione e Europës në 2004 etj. etj.?

E pra, ndaj futbolli është kaq i bukur!

Shijojeni!

©Adriatik Riza Dosti