Sport

Euro 2020, mrekullia daneze, befasia suedeze dhe drama gjermane - Nga Adriatik R. Dosti

Adriatik R. Dosti - Michigan, SHBA

Ohhh sa gjatë do të kujtohen këto ndeshjet e treta në grupe në ketë europian të mrekullueshëm dhe për shumë arsye.

Në grupin A - Shqiptari Shaqiri me dy gola fantastikë gjunjëzon Turqinë dhe i jep biletën Zvicrës për më tej, si një nga të tretat më të mira të grupeve, ndërkohë që Italia e Uellsi, me meritë zënë dy vendet e para në grup.

Në grupin B - Mrekullia e ka emrin Danimarkë, e cila vjen nga hiçi dhe tek mendohej se i kishte dhënë lamtumirën europianit, i fut një të rrahur vëndshe Rusisë 4-1, duke e përzënë nga europiani dhe i jep vetes  vendin e dytë në këtë grup, të cilin e mbylli me pikë të plota Belgjika.

Në grupin C - Hollanda nuk fal askënd, ndërkohë, Austria u rendit e dyta duke mundur me meritë Ukrainën e Shevçenkos, që zhgënjeu së tepërmi në përballjen me austriakët. Falë kombinacioneve, golaverazhit e gjithçkaje që ndodhi në grupet e tjera, me shumë fat edhe Ukraina siguroi një vend për në 1/16 finale.

Në grupin D - Sikurse edhe pritej, e para u rendit Anglia, e cila ende nuk ka bindur tamam - tamam për emrin e madh që ka, ndërkohë që rizgjohet Kroacia që zë vendin e dytë e sposton Çekinë në vend të tretë, por gjithashtu të kualifikuar për me tej. Për kornizë goli i Modriç në ndeshjen Kroaci - Skoci, luajtur në Gllazgou.

Në grupin E - Befason Suedia, që u rendit e para, madje në ndeshjen e fundit mund edhe Poloninë e Levandovskit. Ky i fundit bëri gjithçka mundi për ekipin e tij, por i vetëm, ishte i pafuqishëm t’i ndalte nordikët, ndërkohë që Spanja, gjithë inatin e mbledhur pas dy ndeshjeve të para zhgënjyese, duket se ia nxorri Sllovakisë, të cilën e shkatërroi 5-0.

Ne grupin F - Dramë sa në Budapest, ku luanin Franca me Portugalinë, po aq edhe në Mynih, ku përballeshin Gjermania me Hungarine… dhe do të duhej vetëm fërshellima e fundit e gjyqtarëve respektivë, që më së fundi, të tre të mëdhenjtë e futbollit europian e botëror, të qetësonin frymëmarrjen e të siguronin   vazhdimësinë në këte europian. 2-2 në të dyja ndeshjet.

Tre penallti akordon gjyqtari spanjoll Lahorte në Portugali-Francë, ku ajo dhënë francezëve, për mua nuk ishte aspak e tillë dhe fare pak bindëse. Nga 2 gola shënojnë Benzema e Cristiano Ronaldo dhe faleminderit Goretzka në Mynih, ndryshe drama e këtij europiani do kishte emrin Gjermani.

Me 2 golëshin e djeshëm, Ronaldo shkoi në kuotën e 109 golave me ekipin përfaqësues, duke barazuar kësisoj rekordin botëror të iranianit Ali Daei, por gjithsesi, 783 golat e portugezit deri tani në karrierën e tij, mbeten ende tepër të frikshme dhe duken të paarritshëm për gjithkënd.

Vetëm Turqia e Maqedonia e Veriut ikën pa pikë nga ky europian, ndërkohë që zhgënjyen Polonia, Rusia, Skocia e Sllovakia. Nga të parat e grupeve befasoi vetëm Suedia e zhgënjeu Spanja. Lavdëruese paraqitja e Hungarisë, e deri diku edhe e Finlandës.

Xherdan Shaqiri

Cilat jane çiftet që do të përballen për 1/8 e që do të luftojnë për një vend në çerekfinalet e Euro 2020 dhe kë do të kualifikoja unë?

Uells - Danimarkë, luajnë të Shtunën në orën 18.00 në Amsterdam. Mendoj të kualifikuar danezët, pasi janë shumë lart moralisht.

Itali - Austri, luajnë të Shtunën në orën 21.00 në Londër. Besoj se italianët do të shkojnë më tej, edhe pse jo me aq lehtësi sa mund të mendojë gjithkush.

Hollandë - Çeki luajnë të Dielën në orën 18.00 në Budapest. Ma do mëndja që hollandezët do ta fitojnë këtë ndeshje pa shumë probleme, duke llogaritur të paktën atë ç'kanë treguar deri më tani.

Belgjikë - Portugali luajnë të Dielën në orën 21.00 në Sevilje. Do të kalojë për më tej ajo skuadër që do gabojë më pak. Personalisht favorizoj belgët.

Kroaci - Spanjë luajnë të Hënën në oren 18.00 në Kopenhagen. Do të jetë një ndeshje spektakolare, ku nëse kroatët luajnë si në ndeshjen e fundit ndaj Skocisë, mendoj se mund ta befasojnë, por edhe eliminojnë Spanjën. Por kujdes, se spanjollët janë të idhët fort në ndeshje të kësaj natyre dhe nuk para dorëzohen kollaj.

Francë - Zvicër luajnë të Hënën në orën 21.00 në Bukuresht. Edhe pse francezët nuk kanë bindur fort me atë ç'ka treguan në ndeshjet në grupe, besoj e mendoj se Zvicrën do ta kalojnë pa shumë vuajtje.

Angli - Gjermani luajnë të Martën në orën 18.00 në Londër. Një lloj finaleje e parakohshme për nga emrat e historia që kanë, por jo për nga ajo ç'kanë dhënë deri më tani në këtë europian. Duke menduar edhe vendin se ku luhet ndeshja, do të favorizoja anglezët, por mos harroni se Gjermania mbetet Gjermani, jetë e mot!

Suedi - Ukrainë luhet të Martën në oren 21.00 në Gllazgou. Mendoj se do të jenë suedezët ata që do të shkojnë në çerekfinale, pasi Ukraina e Shevës më ka zhgënjyer së tepërmi në ndeshjet e fundit. E lodhur, e pafuqishme, kaotike, me gabime pa fund në mbrojtje dhe me një sulm të atrofizuar, edhe pse në këtë repart ka lojtarë të mrekullueshëm.

Kjo fundjavë e fillimjava tjetër do na i japin të sakta përgjigjet për 8 emrat e skuadrave çerekfinaliste të këtij europiani. Të presim…

©Adriatik R. Dosti