Sport

Edhe në Europian topi është i rrumbullakët - Nga Përparim Kabo

Përparim Kabo - Tiranë

Hollanda, Portugalia, Franca, Gjermania, janë katër fituese të Europianit në kohë të ndryshme, që eleminohen. Nuk duhet të habitemi, sepse Kampionati Europian i futbollit është më shumë kompeticion shtetesh, se sa kombesh dhe shkollash futbolli. Nuk ndeshen thjesht kombe, sepse në një botë të hapur, marrja e shtetësisë dhe punësimi në futboll është liberalizuar.

Edhe çështja e shkollave është kapërcyer për shkak se futbolli është homogjenizuar falë standardizimit të trainimit apo skemave dhe sepse lojtarët luajnë në vende të ndryshme, sipas vlerave dhe çmimit që kanë në treg, në kampionate më të mira se i vendit të tyre. Është për këtë arsye që ekipet e mëdha kanë brenda tyre lojtarë shumë të shtrenjtë, të cilët luajnë në ekipet e klubeve të mëdha dhe motivohen kryesisht nga pagat tejet të larta, ndërsa me fanelën e ekipit kombëtar motivimi nuk është paraja.

Granit Xhaka

Ekipet e vogla në letër, kanë diçka më shumë si motivim... energjinë që lidhet me flamurin kombëtar, pra promovimin e vendit, por edhe për faktin që Europiani është edhe treg oferte, për ta është mundësia për t’u shitur, për të ngritur çmimin në treg. Për shembull, rasti i Lokatelit tek Italia dhe super Xhaka te Zvicra, por dhe lojtarë te Hungaria, Çekia, Kroacia, Suedia, Ukraina, Danimarka... Pra këta lojtarë kanë dy energji, fanelën dhe tregun.

Mbapé tregoi mbrëmë se ishte produkt tregu dhe duke dashur të bënte gjëra të medha nuk bëri asgjë. Po të kishte qënë ish-traineri Michel Hidalgo, do e nxirrte nga loja me kohë. Në fushë nuk luhet me emër, luhet me lojë, me zemër dhe energjiderdhje çdo sekondë...

Europiani vazhdon, por vetëm dy skuadra janë pothuaj me 100% të lojtarëve që iu luajnë në kampionatin e vendit... Besoj ato të dyja shkojnë në finale… por... ah… topi eshte i rrumbullaket...

©Përparim Kabo