Sport

Anglia në një finale të madhe pas 55 vjetësh - Nga Adriatik R. Dosti

Adriatik R. Dosti - Michigan, SHBA

Më së fundi, për herë të parë në historinë e fubollit europian e botëror, finalja e dëshiruar dhe e shumëpritur Itali-Angli. Dhe jo se nuk ka dashur Italia, FIFA apo UEFA, por ja që Anglia kurrë më, që pas 1966, nuk ka qenë në asnjë lloj finaleje tjetër Botërori apo Europiani.

Duket se ai gol fantazëm kundër Gjermanisë në finalen e Botërorit të 8-të që u zhvillua në atdheun e futbollit, e që me fitoren e diskutueshme 4-2 i shpalli anglezët Kampionë të Botës, i ndoqi pas si hije e rëndë tersi shpikësit e futbollit, duke mos i lënë kurrë të qetë për të siguruar një finale tjetër.

Dhe ja më së fundi tek ka mbërritur sërish Anglia. Vonë, tepër vonë, por më mirë vonë se kurrë! E pas 55 vjetësh, në finalen e shumëpritur e të shumë-ëndërruar. Edhe pse përballë një kundërshtari si Italia, aspak të dëshiruar për të, me të cilin ka kujtime historike fort të hidhura...

Anglezët kanë luajtur më mirë se danezët, por edhe kanë vuajtur deri në fund ndaj tyre për të prerë biletën për në finale, por më së fundi, falë edhe fushës e publikut të tyre, përmes nje goli-penalltie drithëruese nga kapiteni Kane, kanë fituar 2-1 me kohë shtesë.

Dhe tash, të Dielën e 11 Korrikut 2021, në orën 21:00, në Wembley-n legjendar, Bota dhe Europa do të mësojnë emrin e Kampiones së 16-të të Europës në fund të finales së madhe Itali-Angli.

Itali-Angli kanë 88 vjet histori përballjesh mes tyre dhe kanë luajtur plot 27 ndeshje, nga të cilat 11 fitore i ka Italia, 8 Anglia dhee 8 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Takimi i parë i përket një miqësoreje të 13 Majit 1933 dhe është mbyllur në barazim 1-1, ndërsa ndeshja e fundit ka qenë një tjetër miqësore e luajtur në 27 Mars 2018 dhe ka përfunduar po në barazim 1-1. Madje sa për kuriozitet, 10 ndeshjet e para Itali-Angli kanë qenë miqësore e nga 27 përballjet mes tyre, 16 të tilla kanë qenë miqësore, luajtur në fushat reciproke.

Në ndeshjet zyrtare për Kampionatet Botërore dhe Europiane, eliminatore dhe faza finale, në 8 takime Italia ka fituar 6 herë kundër anglezëve dhe ka humbur vetëm një herë, pra vetëm një ndeshje është fituar nga anglezët.

Dhe më 11 Korrik, Italia për herë të katërt në finalen e një Europiani e në kërkim të trofeut të dytë dhe Anglia për hërë të parë në një lloj finaleje të tillë e në kërkim të trofeut të parë.

Italia apo Anglia?

Durim. Të presim edhe 4 ditë, ose më saktë edhe 96 orë, për të mësuar emrin e Mbretit të futbollit europian, për këtë kompeticion të jashtëzakonshëm, luajtur një vit më pas traditës, historisë e kohës së rregullt të tij, për shkak të Covid-19, të cilin duket se futbolli ishte ai që e mundi i pari.

©Adriatik R. Dosti/Flasshqip.ca