Sport

Tri orët më magjike në historinë olimpike të Kanadasë

Në një situatë të nxehti afrikan, olimpizmi kanadez ka përjetuar dje në Tokio disa orë me të vërtetë magjike. Medalje argjendi në 5000 m meshkuj, medalje bronzi në stafetën 4 x 100 metra meshkuj dhe në fund, medaljet e arta në futboll, në një përballje epike me Suedinë (në radhët e të cilës luante edhe Kosovare Asllani) ku fituesi doli pas gjuajtjes së penalltive.

Në fillim, rreth orës 21:00, ka qenë atleti i garave të gjata Mohammed Ahmed, i cili u vendos në startin e nisjes të garës së vrapimit 5000 m mbi pistën e Stadiumit Olimpik të kryeqytetit japonez.

30 vjeçari Ahmed, me një akselerim në 200 metrat e fundit, ka arritur të dalë i dyti duke fituat medaljen e argjendtë me vetëm 45 të qindat e sekondës më shumë se vendi i parë që u fitua nga ugandezi Josh Cheptegei. Kësisoj, për herë të parë Kanadaja siguron një medalje në garën prestigjioze të 5000 m.

Ndërkohë teksa në Yokohama finalja e futbollit për femra Kanada-Suedi po i drejtohej fundit të kohës së rregullt në barazim 1-1, në Tokio nisi gara e stafetës 4 x 100 m për meshkuj. Katërshja Aaron Brown, Brendon Rodney, Jerome Blake dhe Andre De Grasse përsëriti të njejtin rezultat si në Rio 2016, duke fituar sërish medaljen e bronzit. Për De Grasse kjo ishte medalja e gjashtë në dy lojëra olimpike radhazi dhe ai tashmë është i vetmi sprinter kanadez më këtë palmares.

Pas ceremonisë së medaljeve në garën e 4 x 100 metrave, pritej me ankth përfundimi i finales së futbollit ku koha e rregullt përfundoi në barazim 1 me 1. Kanadaja rezistoi përballë një Suedie që nuk kish humbur asnjë nga 17 takimet e fundit. Për më tepër, në të gjitha kompeticionet e këtij rangu, suedezet gjithmonë kishte dalë fituese përballë vajzave kanadeze. Por ekipi kanadez, falë shpirtit kolektiv dhe rezistencës fizike i rezistoi fort sulmeve kundërshtare gjatë 30 minutave shtesë.

Diku pak para mesnatës nisi gjuajtja e penalltive dhe të parën e humbi Kosovare Asllani që për fat të keq goditi traversën. Pas momentesh dramatike humbjesh e shënimi nga të dy anët, me gjuajtjen e penalltisë së gjashtë nga Julia Grosso (3-2), Kanadaja arriti të fitojë medaljen e artë, që është dhe suksesi më i madh i saj deri më sot në futboll. Mbi fushën e blertë ndodhi mrekullia. Më në fund edhe veterania legjendare, 38 vjeçarja Christine Sinclair realizoi ëndrrën më të madhe të karrierës së saj, medaljen e artë olimpike.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada